Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka si synim ngritjen e një lëvizjeje të përhapur në të gjithë territorin, për të parë më pas drejt zgjedhjeve të ardhshme, tha Boiken Abazi, kandidat i pavarur për Tiranën, në një bisedë me ABC.
“Ne dëshirojmë që të ngremë një lëvizje në gjithë territorin. Pas katër viteve të kemi struktura që të garojmë në zgjedhjet e radhës… Kjo na mundëson dhe përshpejton realizimin e këtij plani.”
Ndërkohë i pyetur se si mendon që do të pritet një njëhësim politik i tillë mes Shqipërisë dhe Kosovës, Abazi tha se nga puna e përditshme në terren kanë marrë një feedback pozitiv.
“Na kanë pritur veçanërisht mirë, nga Lezha në Përmet. Do të ishte e pafalshme për ne si shqiptarë të mos punonim me hapa që të çojnë drejt bashkimit. Këtë gjë nuk e duan vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri.”
Por, nga cila parti “anon” VV në Shqipëri dhe a do të ketë koalicione pas zgjedhore?
Boiken Abazi la të kuptohet se nuk beson tek asnjë nga subjektet aktuale politike ndërsa shtoi se votat nuk i duan për të kapur një ministri që të shpërblehen militantët.
“…Nevojitet një adresim i problematikave therëse…Mendoj që këtu korrupsioni ka shërbyer si një lloj mekanizimi për rishpërndarjen e të ardhurave në mungesë të shtetit social. Unë kam 11 vite i angazhuar politikisht, në Kosovë dhe në Shqipëri. Nuk kam besuar kurrë tek këto parti që janë aktualisht. Duhet të punojmë për një lëvizje të madhe…Nuk besoj se ndryshimet rrënjësore mund të bëhen nga subjektet ekzistuese. Ne jemi për shoqëri dhe për kombin. Nuk synojmë të hyjmë në kuvend për të marrë ndonjë ministri. Në synojmë të ngremë një lëvizje. Vota për VV është investim për ngritjen e kësaj lëvizjeje.”
Gjithashtu, Abazi tha se beson që kryeministri kosovar Albin Kurti, duke qenë se është edhe shtetas shqiptar, nëse gjen kohë mund të vijë të votojë më 25 prill.