Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prizrenit, Anton Quni ka arritur t’i marrë vetëm 14,98% të votave në zgjedhjet e djeshme, ku doli i treti pas Mytaher Haskukës së Lëvizjes Vetëvendosje (40,43%) dhe Shaqir Totajt të Partisë Demokratike të Kosovës (31,10%).
Një nga faktorët për humbjen e djeshme, Quni tha se ishte edhe pozita e yjeve në horoskop. Ai tha se LDK-ja e filloi vonë fushatën në këtë komunë, ndërsa tha se beson që e kanë bërë më të mirën e mundshme.
“Është fakt që kemi filluar vonë. Kjo më shumë lidhet me shëndetin tim. Thuajse nga salla e operacionit jam kyçur në fushatë. Besoj që e kemi bërë më të mirën që kemi mundur, me prezantimin e programit, me agjendën tonë, me takimet, me bashkëbisedimet, me promovimet e të gjithë atyre vlerave që ne i ofrojmë për qytetarët. Normal, kjo çështje varet nganjëherë edhe nga pozita e yjeve në horoskop. Këto nuk kanë qenë në favorin tonë”, tha Quni për Klan Kosovën.
Ai shtoi se ka pasur edhe faktorë tjerë që kanë ndikuar në rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
“Janë edhe shumë faktorë të tjerë që ndikojnë. Krijohet një opinion. Vetë fakti se përsëriteshin sondazhet publikisht, tregohet sadopak se nga duhet të orientohet vota”, tha Quni.
Ai deklaroi se nuk kanë vija të kuqe për LVV-në dhe LDK-në që do të garojnë në balotazh.
“Me Z.Haskuka nuk kemi përvoja të mira”, tha Quni, i cili shtoi se “me seriozitetin më të madh do ta analizojmë situatën”./Gazeta Enigma.