Anulohen zgjedhjet në Han të Elezit

Anulohen zgjedhjet në Han të Elezit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur të anulojë zgjedhjet për kryetar të  komunës në Hanin e Elezit.

PZAP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e kryetarit të kësaj komune, Rufki Suma.

“Procesi i votimit do të përsëritet vetëm për kryetar komune, për shkak të minimit të integritetit të zgjedhjeve si rezultat i presionit dhe organizimit me qëllim të përfitimit të mbështetjeve të votuesve”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Kandidati i PDK-së, sipas rezultateve të KQZ-së,  për zgjedhjet e 17 tetorit ka marrë me 50.98% të votave.

Rezultatet nga 100% të vendvotimeve të procesuara:

Mehmet Ballazhi (PDK) –  2.485 vota apo  50,98%

Rufki Suma – 2.070  vota apo 42,47%

Sherif Berisha (LVV) – 319 vota apo 6,54%

Ndërkaq, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të dërgojë në rinumërim  edhe 23 vendvotime në total, të cilat nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, pasi ka pasur probleme të natyrave të ndryshme, kryesisht teknike.

Vendvotimet i takojnë komunave të ndryshme. Tetë janë për zgjedhjet për kryetarë të komunave e 15 tjera për zgjedhjet për kuvende komunale.

Procesi i numërimit të tyre do të fillojë pasditen e sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

KQZ-ja ka lënë mundësinë që të shtohen në këtë listë edhe ndonjë vendvotim tjetër.

Në QNR pritet që gjatë kësaj jave të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura përmes postës nga votuesit nga jashtë.

Shefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka treguar se gjatë pranimit të materialeve në QNR një numër i vendvotimeve nuk ka mundur të procesohen si të rregullta, shkaku i disa parregullësive, si ndërrimit të numrave të sigurisë, mospërputhje të numrit të votuesve me kusht dhe numrit të fletvotimeve me kusht.

Related Articles