Drejtori i Klinikës së Radiologjisë në QKUK, doktor Bujar Gjikolli, ka thënë se me pandeminë COVID-19 është rritur fluksi i pacientëve.
“Vështirësitë kanë dalë në momentin kur fluksi është rritur dhe nevojat për shërbimet tona janë shumëfishuar. Është dashur që të bëhen zgjidhje që ky shërbim të sigurojë mbarëvajtjen, të mbrojmë personelin tonë nga infektimi dhe të rrisim kapacitetet dhe t’i përgjigjemi nevojave vazhdimisht në rritje të klinikave të tjera, të pacientëve dhe të reparteve të reja COVID që janë hapur e mbyllur varësisht nga fluksi. Vështirësitë na bëjnë më të fortë dhe është kënaqësi kur e gjejmë mënyrën për t’i tejkaluar ato vështirësi”.
“Klinika e Radiologjisë ka ndihmuar shumë pacientët kosovarë si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në ruajtjen e mirëqenies sociale dhe financiare të tyre. Ne shërbimet nuk i kemi mbyllur. Me përkrahjen e personelit të Klinikës së Radiologjisë jemi mobilizuar që t’i shërbejmë pacientet. Kemi fluks ditor prej 300 deri në 600-700 pacientë që kërkojnë shërbime të llojeve të ndryshme.
Nëse i kalkulojmë që këto shërbime kanë një kosto, që fatbardhësisht një grup i madh i kategorive të pacientëve janë të liruar nga shërbimet e pagesës, atëherë nëse e kthejmë në financa i bie që miliona e miliona euro kanë kursyer pacientët kosovarë falë angazhimit të personelit të klinikës dhe shërbimeve që janë ofruar”. Ai, në Klan Kosova, ka thënë se deri në 700 pacientë në ditë kërkojnë shërbime në këtë klinikë.
“Përveç mbylljes së madhe që ishte në fillim të pandemisë ku i kishim mbyllur shërbimet ambullantore, të gjitha llojet e shërbimeve i kemi ofruar vazhdimisht. Me hapjen e parë, para muajit qershor, i kemi hapur të gjitha shërbimet dhe arritëm edhe suksese ku sollëm listat e pritjes që ka qenë 11 muaj (në fund të dhjetorit 2018) në rreth 1 muaj ose 1 javë”.