Në zgjedhjet lokale të mbajtura më 17 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e para për nga numri i votave( të rregullta, me kusht dhe me post), me gjithsej 170 mijë e 177 vota.
“Prej 110.000 vota sa kishte LDK-ja në zgjedhjet nacionale, nga burime brenda KQZ-së mësohet se ka arritur t’i marrë 170.177 vota për asamble komunale (të njëjtat janë tregues i votës politike) në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, duke realizuar kështu një rritje prej 60.177 vota, apo një ngritje prej afërsisht 55%”.
“Po ashtu, duhet theksuar se edhe në votat me postë (votat e mërgatës), LDK-ja doli partia më e votuar në vend, duke marrë 3234 vota nga 9302 votues gjithsej, apo afërsisht 35% të votës së përgjithshme të mërgimtarëve”.
Nga burime brenda LDK-së bëhet e ditur se kryetari Abdixhiku po kërkon përkushtim edhe më të madh të strukturave për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, i cili do të mbahet më 14 nëntor.
Nga të njëjtit mësohet se Abdixhiku ka kërkuar nga strukturat që me të njëjtin intensitet të vazhdohet komunikimi, afërsia dhe dëgjueshmëria ndaj qytetarëve edhe pas zgjedhjeve, duke iu thënë se besimi i marrë nga ta duhet ruajtur si sytë e ballit.