Atletico Madridi e ka rigjetur rrugën e fitores pas dy barazimeve radhazi në La Liga, duke e mposhtur 3:0 Real Betisin të dielën.
Yannick Carrasco dhe Joao Felix shënuan nga një herë në secilën pjesë në stadiumin Wanda Metropolitano dhe u ndihmuan edhe nga German Pezzella me një autogol për t’ia siguruar pikët e plota skuadrës së Diego Simeonës.
Atletico po vinte nga dy barazime zhgënjyese në dy ndeshjet e fundit, kundër Real Sociedadit dhe Levanes, e vetëdijshme se vetëm fitorja do ta kthente në binarë në garë për mbrojtjen e titullit në La Liga.
Kampioni në fuqi i ka 22 pikë tani pas 11 ndeshjeve dhe renditet i katërti, me dy pikë më pak se liderët se tre të parët, Real Madrid, Sevilla dhe Sociedad që kanë nga 24 pikë secili.
Betisi, i cili vinte në këtë takim në formë të mirë pas tri fitoreve radhazi, ngel në vendin e pestë më 21 pikë.
Carrasco e theu akullin në minutën e 26-të për skuadrën e Simeones, kur me një depërtim të bukur në mbrojtje e mposhti portierin Claudio Bravo me një goditje nga afërsia në shtyllën e parë.
Pezzella i ndihmoi vendasve ta dyfishojnë epërsinë duke shënuar në portën e vet pak pasi akrepat shënuan një orë lojë, në përpjekje për ta larguar topin nga zona gjatë një harkimi nga këndi.
Felix e vulosi fitoren e Atleticos në minutën e 80-të duke e mposhtur Bravon me një goditje për toke në shtyllën e dytë, pasi u shërbye nga Carrasco.
Ky ishte goli i parë për sulmuesin portugez, i cili e zëvendësoi Luis Suarezin në minutën e 71-të, në sezonin 2021/22.