Paditësja F.S, si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga qenët endacak në rrugë publike, po kërkon nga e paditura Komuna e Pejës, kompensimin e dëmit në vlerë prej 5 mijë euro.
Për këtë përfaqësuesja e autorizuar e paditurës avokatja Drita Sopi-Gashi, mendon se për çështjen në fjalë legjitimitet ka AVUK, dhe jo Komuna e Pejës.
Fillimisht e autorizuara e paditëses, avokatja Pranvera Zhara, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesës së saj, dhe se gjatë seancës kishte pranuar raportin informues lidhur me incidentin të cilin e kishte pësuar paditësja ditën kritike nga kafshimi i qenit.
Gjithashtu e njëjta deklaroi se nga pala e paditur kishte pranuar kontratën publike kornizë, e cila ishte e lidhur ndërmjet Agjencisë së ushqimit të veterinës si dhe N.T.SH. Veterina në Pejë, dhe meqenëse sot kishte pranuar një kontratë të tille, avokatja Zhara kërkoj kohë qe ta shqyrtoj kontratën dhe me parashtresë ta njoftoi gjykatën se a do të bën zgjerim të padisë.
Tutje, përfaqësuesja e autorizuar e paditurës Komuna e Pejës, Drita Sopi-Gashi, e kundërshtoi padinë dhe kërkesën e saj, sepse sipas saj, të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv që të jetë palë në procedurë.
‘’Këtë fakt e vërtetojmë me kontratën publike kornizë e cila është e lidhur ndërmjet Agjencisë së ushqimit të veterinës si dhe N.T.SH. Veterina në Pejë, pra kjo kontratë argumenton se Komuna e Pejës nuk ka legjitimitet por ekskluzivisht legjitimiteti i vjen AVUK-it, i cili agjencion është nën ombrellën e zyrës së kryeministrit’’, deklaroi përfaqësuesja e të paditurës, Drita Sopi-Gashi.
Pas kësaj, gjyqtarja e çështjes Merita Baloku, mori vendim që seanca e radhës të caktohet për 22 dhjetor të këtij viti.
Sipas padisë së ushtruar me 13 korrik 2020, paditësja F.S, po kërkon kompensimin e dëmit në vlerë prej 5.000 euro, nga e paditura Komuna e Pejës.
Sipas padisë, në Pejë, në rrugën ‘’Anton Çeta’’ e në afërsi të shkollës fillore ‘’Dardania’’, me 30 maj 2020, rreth orës 08:30, derisa paditësja ishte duke ecur nëpër rrugën e asfaltuar, dy qenë endacak, e sulmojnë dhe kafshojnë në pjesë të ndryshme të trupit, e njëjta me ndihmën e kalimtarëve të rastit mezi arrin që t’i largojë qentë, raporton ‘’Betimi për Drejtësi’’, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Në padi thuhet se si pasojë e lëndimeve të pësuara nga kafshimi i qeneve në këmbë dhe në krahë, paditësja ishte dërguar në Q.M.F. ‘’Dardania’’, në Pejë, ku mjeku i ordinuar pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse mjekësore ka konstatuar se në trupin e paditëses nga kafshimi i qeneve i ishin shkaktuar plagë dhe vrragë të theksuara, për çka urgjentisht i është rekomanduar që t’a merr serumin kundër helmimit. /Gazeta “Enigma”/