Një episod vërtet i veçantë ka ndodhur në Turqi që aktualisht po bën xhiron e botës. Këtë herë protagonist nuk kanë qenë as tifozët e as futbollistët, por gjyqtari kryesor i sfidës Halis Ozkhaya që është shndërruar në qesharak me veprimin që ka bërë.
Në sfidën e Superligës turke mes Gaziantep dhe Kasimpasa që përfundoi me shifrat 2-0 në favor të skuadrës vendase, gjyqtari dha 9 minuta shtesë në fund të takimit dhe pasi u luajtën 5 minuta i ra bilbilit për të sinjalizuar përfundimin e ndeshjes.
Askush nga lojtarët e të dyja skuadrave apo edhe vetë asistentët e arbitrit Ozkhaya nuk vunë re gafën e këtij të fundit. Akoma më e veçantë ishte ajo që ndodhi më pas me skuadrat që hynë në dhomat e zhveshjes dhe gjyqtarin që u kujtua që kishte dhënë 9 minuta shtesë dhe kishte lejuar luajtjen e vetëm 5 të tillave.
Ozkhaya thirri sërish dy skuadrat në fushë pasi qëndruan 10 minuta në dhomat e zhveshjes dhe u luajtën 4 minutat e fundit që nuk sollën asnjë ndryshim në rezultat. Kjo gafë e gjyqtarit në një ligë prestigjoze si ajo turke po bën xhiron e botës dhe ndaj Ozkhaya me siguri që do të vijë një dënim i merituar pas këtij episodi.