Ish-këshilltarja e Vjosa Osmanit, Jeta Statovci po e vlerëson punën e Osmanit në unifikimin e faktorit politik.
Statovci, tutje presidenten po e sheh si figurë unifikuese karshi temave të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe raportin e subjekteve politike.
“Mendoj që Republika e Kosovës, ka një presidente e cila gëzon një legjitimitet të lartë qytetarë, gjithashtu ka treguar të jetë një figurë unifikuese karshi temave të ndryshme, e gjithashtu edhe në raport me subjektet e ndryshme politike. Kujtojmë që brenda këtij procesi se janë mbajtur disa takime së bashku me subjektet ku janë konsultuar për tema të ndryshme, përfshirë edhe zgjedhjet lokale. Presidentja ishte mjaft e hapur që të merr opinionin e subjekteve”.
Deputetja nga radhët e VV-së, thekson se raporti president e opozitë është shumë korrekt, derisa thotë se po i ish-shefja e saj po i përmbushë obligimet që dalin nga Kushtetuta e Kosovës.
Lartë po e vlerëson punën e presidentes edhe në politikën e jashtme, që siç thotë ajo ka intesitet të shtuar me prezencë në arenën ndërkombëtare.
“Ne mendojmë që ajo ka një raport shumë korrekt me të gjithë akterët politik të përfshirë, duke përcjel agjendat dhe përgjegjësitë e saj kryesore të cilat lidhen me politikat e jashtme, dhe shohim që ka një intensitet të shtuar në raport me prezencën në arenën ndërkombëtare e gjithashtu edhe në forcimin e aleancave që kemi dhe zgjerimin e aleancave të reja karshi shteteve të ndryshme, mirëpo kjo shkon në harmoni të plotë me koordinimin e politikave vendore përfshirë këtu gjithë akterët politik, dhe obligimin kushtetues ajo po e performon me shumë korrektësi”.
“Ajo është duke i mbushur obligimet e saj të cilat dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha Statovci.
Por, ndryshe mendon deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj. Ai për Ekonomia Online, thotë se presidentja është marionetë e ekzekutivit dhe se nuk po e luan rolin kushtetues të gjithë spektrit politik.
“Sa i përket presidentes unë mendoj që nuk është duke luajtur rolin kushtetuese, unifikimin e të gjithë spektrit politik, qoftë në mazhorancë ashtu edhe në opozitë, por ashtu edhe në përgjithësi të qytetarëve, sepse kushtetuta e shef presidentin si një figurë unifkuese, dhe në këtë relacion unë nuk kam parë diçka të tillë dhe më tepër është marionetë e qeverisë e mazhorancës sesa ndonjë figurë unifkuese”.
Ai ka përmendur edhe takimet e presidentes me partitë politike, për zgjedhjet lokale, ku thotë se ajo është rreshtuar krah VV-së.
“Ne kemi parë edhe kur ka qenë vendimi i VV-së, për të shtyrë zgjedhjet lokale menjëherë presidentja është rreshtuar në krah të VV-së dhe nuk e kam parë një rol unifikues që duhet ta luaj”.
Sipas tij, bashkëpunimi jo i shëndoshë i presidentit me spektrin politik po e dëmton imazhin e vendit e po shkaktohen kriza.
“Kjo e dëmton edhe imazhin e Kosovës, edhe spektrin politik, sepse kur e kemi një presidente që nuk mundohet mendimet dhe të jetë figurë neutrale, por që anon dikah atëherë kjo shkakton kriza dhe pabesueshmëri në president”.
Neni 4, pika 3 e Kushtetutës thotë që Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, në pajtim me këtë Kushtetutë”.