Kyle Rittenhouse mori pjesë të mërkurën në gjyqin ndaj tij për vrasje, dhe tha se ishte duke u sulmuar kur qëlloi me armë zjarri tre burra gjatë një nate protestash të trazuara në Kenosha të Michiganit.
“Nuk kam bërë asgjë të keqe. Unë u mbrojta”, tha Rittenhouse gjatë seancës gjyqësore.
18-vjeçari Rittenhouse qau aq fort në një moment sa gjyqtari shpalli pushim. Por pavarësisht kësaj, ai vazhdonte të qëndronte në tribunë, edhe pse po merrej në pyetje me agresivitet nga prokurori i rastit.
Rittenhouse është në gjyq nën akuzat për vrasjen e dy burrave dhe plagosjen e një të treti gjatë trazirave që shpërthyen në verën e vitit 2020 në Kenosha, për shkak të plagosjes së një burri me ngjyrë nga një oficer policie i bardhë.
Ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor për akuzat që rëndojnë mbi të.
Rittenhouse, i cili ishte 17 vjeç në atë kohë, kishte shkuar në Kenosha me një armë gjysmë automatike të stilit AK, dhe një çantë mjekësore, në atë që ai tha se ishte një përpjekje për të mbrojtur pronën nga rebelët që kishin vënë zjarre dhe plaçkitur biznese në dy netët e mëparshme.
Ai ka deklaruar se e kishte qëlluar për vdekje Joseph Rosenbaum pasi Rosenbaum e ndoqi dhe i vuri dorën në tytën e pushkës së tij. Më pas Rittenhouse qëlloi dhe vrau Anthony Huber, duke dëshmuar se ai hapi zjarr pasi Huber e goditi në qafë me një skateboard dhe i rrëmbeu pushkën.
Ndërkohë, kur një burrë i tretë, i quajtur Gaige Grosskreutz, e kishte goditur me pistoletë dhe ia kishte drejtuar atë në kokë, Rittenhouse e kishte qëlluar edhe atë, duke e plagosur.
“Nuk kisha ndërmend t’i vrisja, kisha ndërmend të ndaloja njerëzit që më sulmonin”, tha Rittenhouse gjatë seancës gjyqësore.
Gjatë dëshmisë së Rittenhouse, gjykatësi Bruce Schroeder sulmoi prokurorin Thomas Binger për marrjen në pyetje të Rittenhouse nëse ishte e përshtatshme të përdorej forcë vdekjeprurëse për të mbrojtur pronën.
Gjykatësi akuzoi ashpër Bingerin për përpjekje të pahijshme për të paraqitur dëshmi që ai kishte thënë më parë se ishte i prirur t’i ndalonte. /Gazeta “Enigma”/