Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Arben Vitia, në përballjen ekskluzive me kundërkandidatin e tij, Përparim Ramën, në Rubikon, ka thënë se projektet e këtij të fundit do të krijonin vetëm kaos në komunikacion.
“Këto projekte që zoti Rama i prezantoi do të krijojnë vetëm kaos, nuk është vetëm kjo pjesë që i shqetëson qytetarët, ju prapë flisni për platformën por po të dilni në terren do të shihni se ka shumë rrugë të pashtruara, janë shkollat në gjendje të mjerueshme… Dhe kjo më lë të dyshoj se gjitha këto projekte janë projekte të një synimi të mirë nga një person, një njëri i mirë që ka qëllimin e mirë, por fatkeqësisht për shkak të rrethanave edhe politike në vendin tonë është një situatë e tillë kur Lidhja Demokratike e ka betejë politike ta fitojë Prishtinën në mënyrë që të bëjë edhe opozitë karshi qeverisë”, ka vazhduar Vitia.
Vitia pretendon se projektet e tij infrastrukturore për katër vjet do të kenë një çmim 150 milionë eurosh.
“150 milionë euro në infrastrukturë, për katër vjet, në infrastrukturë rrugore, e cila një herë e mirë do ta zgjidhë problemin duke hapur arterie të reja”, ka shtuar Vitia.