Adelina 113, ‘luftëtarja pa mburojë’

Adelina 113, ‘luftëtarja pa mburojë’

E mbetur vetëm dhe në dëshpërim, pa leje qëndrimi dhe pa shtetësi, zgjodhi vdekjen dhe jo jetën.

Mbi urën Garibaldi të Romës, Adelina 113 iu dorëzua errësirës.

Edhe ata dy kalimtarë që e panë teksa po i afrohej vdekjes, ndodheshin larg, pa mundësi për ta shpëtuar, tregon e përditshmja “Corriere della Sera”.

Rrahjet e fundit të zemrës së saj po i shoqëronte veç shiu dhe bashkë me shiun, humbën.

Ashtu, menjëherë, natën që ndante të shtunën nga e diela e kaluar.

Deri në atë çast të fundit, jeta u tregua e egër me të. Dhe jo më pak shteti, i cili ashpër, nuk ja dha mirënjohjen për çka ajo kishte bërë.

‘Një luftëtare’

Gazetarja, shkrimtarja dhe autorja televizive, Myrta Merlino, e ka cilësuar atë si “një luftëtare pa mburojë”.

E njihte prej vitesh Adelinën, e kishte mirëpritur disa herë në emisionin e saj dhe kuptohet, nuk i mban dot lotët teksa flet për të.

Ishte personi i fundit që kërkoi ndihmë për të drejtpërdrejtë në emision veç tri ditë para.

“Humba bashkë me të, ajo humbi në atë çka besonte shumë, ndonjëherë verbër. Humbi sistemi me burokracinë e njëanshme. Humbi edhe televizioni, i cili përtej historisë është i pafuqishëm. Qava me inat…shpresoj na ke falur të gjithëve”, ka thënë ajo.

Duke shtuar se, të kërkonte ndihmë për Adelinën do të thoshte vetëm një gjë, “të kishte nënshtetësi italiane, ishte ëndrra e saj e vetme”.

Me gomone

Adelina ishte një shqiptare, e lindur në vitin 1974, në Durrës.

Ishte vetëm 22 vjeçe kur u mashtrua nga iluzioni i një të ardhmeje të ndritur në shtetin fqinj, në Itali.

Ngjashëm si mijëra të tjerë, “e inkurajuar nga bukuria e parë në televizor”, mbërriti me gomone atje, në vendin e ëndrrave.

Por…ndryshe nga ëndrra, burrat e premtimeve të rreme e kthyen të renë në prostitutë dhe e skllavëruan me forcën e goditjeve, shkruan “Corriere della Sera”.

“Më kanë prerë këmbën me gërshërë dhe më kanë hedhur kripë në plagë për të më lënduar më shumë”, ka rrëfyer ajo mes shumë torturash të tjera.

Me fuqinë e zemrës së një vajze, iu betua vetes se nuk do t’ia lejonte vetes të vdiste skllave.

Një natë, në Varese, vendosi që askush të mos e abuzonte më.

Mori telefonin ndër duar, thirri 113-n dhe i besoi shtetit. E prej asaj kohe, për karabinierët dhe policinë, të cilët e kanë ndihmuar gjithmonë, ajo u bë Adelina 113.

Emër ky i koduar që e mbante me vete edhe gjatë hetimeve dhe gjyqeve që vinin nga bashkëpunimi i saj me drejtësinë.

Dëshmitarja

Ishin dëshmitë e saj që vunë në pranga 40 shqiptarë, të cilët vendosnin për jetën dhe vdekjen e grave të mbetura në kthetrat e tyre.

Këta shfrytëzues të pamëshirshëm u dënuam më vonë me dënime deri në 20 vite burg.

Përherë, ajo ka bashkëpunuar me prokurorët publikë dhe organet ligjzbatuese pa hezitim apo frikë.

U shndërrua në shembull për dhjetëra e dhjetëra gra që falë saj u rebeluan kundër mallkimit të prostitucionit.

Zëri i saj është dëgjuar shpesh në Senat, madje edhe te komisioni i Çështjeve Kushtetuese, si përgjegjës mbi situatës dramatike të prostitutave.

Fliste në shkolla, harxhonte kohën dhe energjinë e saj kudo që kishin nevojë për të.

Një qytetare model, por pa shtetësi. Paradoksale, e quan “Corriere della Sera”.

Në vitin 2019, ka qenë Myrta Merlino, ajo që i ka dorëzuar çështjen ministrit të Brendshëm të atëhershëm, Matteo Salvini. Dhe ai u interesua për të derisa mori një leje të posaçme qëndrimi, në pritje të procedurave burokratike për shtetësinë.

Më pas, mes ndërrimit të qeverisë dhe zgjatjes së çdo hapi të vetëm burokratik, Adelina 113 përfundoi sërish në mëshirën e skadimit të lejes.

Këtë herë, kishte një arsye më shumë për t’u ndjerë e vetmuar dhe e dëshpëruar: tumori agresiv që e kishte detyruar atë drejt cikleve shkatërruese të kimioterapisë dhe dobësive të vazhdueshme.

Prapë së prapë, qëndronte në këmbë, paçka fatit të errët, se kishte një ëndërr.

Nuk donte të ishte një fantazmë në rrugët e Italisë pa një shtetësi.

“E donte Italinë, ndjehej italiane”, ka kujtuar Myrta.

Madje, herën e fundit, i kishte rrëfyer asaj se nuk donte të kthehej në vendlindje as pas vdekjes.

Dhe, me fund të hidhur, kështu mbeti. Siç deshi. /Gazeta “Enigma“/

Related Articles