Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut do të bëjë një marrëveshje me autoritetet shëndetësore serbe për furnizimin me vaksina ruse Sputnik V, të cilat do të prodhohen në Serbi. 15 mijë maqedonas deri tani janë vaksinuar në Serbi, ka thënë ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, pas një takimi në Beograd me homologun e tij nga Shkupi, Venko Filipçe.
Ministri serb tha se vendi i tij “më e pakta që mund të bëjë, është që t’ua sigurojë rivaksinimin këtyre qytetarëve nga vendi fqinj. Por, Serbia sipas tij, është e gatshme që dozat për këta persona t’ia dorëzojë autoriteteve maqedonase në mënyrë që rivaksinimi të bëhet në vendbanimin e tyre.
Ministri maqedonas Filipçe qëndroi në Institutin “Torlak” ku prodhohen vaksinat ruse, teksa ka rënë dakord që “ky institut të jetë partner strategjik për furnizmin me vaksina të Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës që vjen”.
Megjithatë, autoritetet maqedonase nga ana tjetër thonë se kanë bërë porositë për sasitë e duhura të vaksinave nga kompani të tjera që pritet, sipas tyre, të arrijnë deri në fund të muajit dhe muajin e ardhshëm. Ndërkohë, duke e prezantuar si gjest mirënjohjeje ndaj Serbisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që qytetarët serbë t’i lirojë nga taksa rrugore nga 15 qershori deri më 15 gusht.
Për këtë ka reaguar partia opozitare shqiptare Alternativa, e cila thotë se kështu bëhet diskriminimi i qytetarëve të vendit. Kjo shkaktoi përplasje midis opozitës maqedonase dhe pushtetit dhe pati reagime në opinionin publik.
Opozita e drejtuar nga VMRO-DPMNE e quajti përpjekje për “terrorizëm biologjik” lejimin e dy ligjvënësve brenda godinës së parlamentit. Opozita ka ngritur kallëzim penal kundër Kryetarit të Parlamentit, Talat Xhaferi dhe dy ligjvënësve, Bisera Kostadinova – Stojçevska dhe Mirosllav Bogdanovski, për siç është thënë, shkeljen e urdhërit për izolim.