Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka falënderuar strukturat e partisë dhe të gjithë ata simpatizantë të Aleancës të cilët, i ndihmuan partisë së tij të sigurojë fitore në pesë komuna të Kosovës në këto zgjedhje lokale.
“Dita e sotme na gjen krenarë por jo arrogantë, fitues të zgjedhjeve në një numër të konsiderueshëm por njëkohësisht shërbëtorë të interesave të qytetarëve. Janë mbi 96 mijë vota për Aleancën dhe pesë komuna ku do të udhëheqim, Gjakova, Suhareka, Rahoveci, Deçani dhe Klina, e jemi në pritje të fitores edhe në Junik. Janë afër 300 mijë qytetarë, që jetojnë në komunat ku ne do të qeverisim, që presin nga ne që të bashkëqeverisin dhe të rrisin cilësinë e jetës së tyre”, thotë Haradinaj në Facebook.
Edhe pse nuk kishin fituar në komunat në të cilat kishin garuar, Haradinaj ka një urim të veçantë kishte për Bekë Berishen e Agron Kuçin.
“Një urim të veçantë për kandidatët Bekë Berisha, Agron Kuçi dhe të gjithë të tjerët, struktura e aktivistë, që vendosën themele të forta në kështjellën tonë të madhe”, thotë ai.
Po ashtu ai shprehet optimist dhe shpreson për fitore të AAK-së edhe në komunën e Junikut.