Gashi thotë se LVV u ndëshkua në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë nga qeverisja e keqe

Gashi thotë se LVV u ndëshkua në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë nga qeverisja e keqe

Sipas opinionistit Shkelzen Gashi, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë më së shumti reforma pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërsa Vetëvendosje ka probleme shumë serioze me strukturat nëpër degët e saj, ka deklaruar Gashi në Klan Kosova.

“Më duket që kriteri më i mirë për matjen e zgjedhjeve, është ky kriteri nëse i marrim shtatë komunat kryesore si qendrat regjionale, këtu del se PDK-ja është e para dhe ka fituar më së shumti komuna si Mitrovicën, Prizrenin dhe Ferizajn, ky mua më duket kriteri më i drejti dhe më i sakti”.

“Pas PDK-së për komunat e mëdha vjen LDK-ja ku ka fituar në Prishtinë dhe Pejë, LVV-ja dhe AAK-ja kanë nga një komunë”.

“Kjo ka ndodhur për një mori arsyesh, tash është fakt e evident që partitë si PDK dhe LDK që kanë dalë para LVV-së, janë parti që ekzistojnë për dy dhe tre dekada, kurse LVV-ja është për një dekadë dhe ka probleme shumë serioze me strukturat nëpër degët e saj”.

“Mendoj se LDK-ja ka bërë më së shumti reforma pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”.

Ai ka thënë se LVV-ja është ndëshkuar në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë të Jugut nga qeverisja e keqe, ndërsa në Ferizja, Pejë dhe Gjakovë ka humbur për shkak të kandidatëve jo të mirë.

“Tjetër faktor është se vet kryeministri Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje, nuk ka qenë kandidat edhe për rrjedhojë nuk ka pasur mundësi të jetë i angazhuar si në zgjedhjet nacionale. Ai ka pasur më pak motiv sesa që ka pasur në vitin 2017, ku i kishte fituar tre komuna të mëdha”.

“Kurti është ndëshkuar për qeverisjen e keqe në Prishtinë, për qeverisje ekstrem të keqe në Prizren dhe për qeverisje skandaloze në Mitrovicë të Jugut”.

“Këto tre komuna u ndëshkua për shkak të keqqeverisjes. Në komunat tjera si Pejë, Ferizaj dhe Gjakovë ka nxjerr kandidatë të këqij dhe është ndëshkuar për shkak të këtyre kandidatëve”.

“Në Gjilan kishte një kandidat ekstraordinar, në Prishtinë gjasat i ka pasur tepër të mëdha dhe kjo ka ndodhur krejt në momentet e fundit kur partitë opozitare janë bërë bashkë me LDK-në”, ka thënë Gashi.

Related Articles