India regjistroi 314.835 raste të reja me Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit. Kjo shifër paraqet rekord të ri botëror dhe i çon spitalet e vendit edhe një hap më afër kolapsit.
Përhapja e pashembullt e virusit, e cila besohet të jetë shkaktuar nga variantet më ngjitëse të tij dhe masat jo shumë të rrepta, i ka stërngarkuar spitalet, duke krijuar mungesë të madhe të shtretërve, oksigjenit, mjekësor dhe ilaçeve në qytetet kryesore të Indisë. Rrjetet sociale janë të mbushura me lutje nga njerëzit që familjarët i kanë të sëmurë por që nuk janë pranuar në spitale.
Spitalet kanë paralajmëruar se nuk mund t’u bëjnë ballë kërkesave për pranim në kujdes mjekësor, e disa prej tyre kanë njoftuar se kanë rezerva të oksigjenit vetëm edhe për disa orë, shkruan ‘The Guardian’.
Në rajonin ‘Maharashtra’, së paku 24 pacientë me Covid-19 vdiqën të mërkurën, kur oksigjeni në ventilatorë u mbaroi për shkak të një rrjedhjeje. Ky rajon i ashpërsoi masat e izolimit, duke e kufizuar në masë të madhe udhëtimin me vetura private, ndërsa trenat mund t’i përdorin vetëm punëtorët shëndetësorë dhe qeveritarë.