Nezir Mehmetaj, i cili ka një vit e gjysmë që po mbahet i ndaluar në Serbi, raportohet se ka dalë sot para Gjykatës së Lartë të Beogradit.
Mehmetaj akuzohet për pjesmarrje në krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë të Klinës në qerdhor dhe korrik 1999, u tha në gjykatë. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat duke thënë se është larguar nga Kosova në vitin 1987, prej nga ka shkuar në Zvicër për të punuar. Në Kosovë tha se ishte kthyer pas luftës, më 1999.
“Erdha në Kosovë për herë të parë në shtator 1999 përmes Shqipërisë. E bleva një veturë në Durrës, e mora nënën, motrat dhe vëllain tim dhe shkova me ta në fshatin Rudice”, tha ai në gjykatë, duke shtuar se familja e tij ishin refugjatë në Shqipëri atë kohë.
Me të mbërritur në Kosovë, ka thënë se ka filluar të kërkonte babanë e tij, i cili ishte arrestuar më 1998, e i cili do të gjendej në një burg të Serbisë.
“Zbulova se babai im ishte gjallë në mes të tetorit kur përfaqësuesit e Kryqit të Kuq erdhën në shtëpinë tonë. Në fund të nëntorit u ktheva në Zvicër te gruaja dhe familja ime”, shtoi Mehmetaj.
Mehmetaj akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudice si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndër tjerash, ai po ashtu akuzohet se kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje serbe në qershor të vitit 1999.