Presidenti slloven, Borut Pahor, ka deklaruar se Sllovenia është mbështetës e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, dhe kësaj të fundit, Bashkimi Evropian duhet t’ia liberalizojë vizat, raporton Gazeta “Enigma”.
Në një konferencë për media, Pahor deklaroi se dialogu duhet të bëhet një hap më tej tek çështja e personave të zhdukur.
“Në të dy këto çështje Sllovenia është mbështetëse edhe më tutje. Sllovenia e mbështet edhe perspektivën euroatlantike të Kosovës…Duhet të tejkalohen mosmarrëveshjet në dialog dhe të ndikojmë në Bashkimin Evropian”, deklaroi tutje ai.
E gjatë konferencës, edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka kërkuar homologut të saj slloven, Borut Pahor, që t’i bindë shtetet që po hezitojnë për t’ia hequr vizat qytetarëve kosovarë.
“Nuk ka rrugë tjetër përpos Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dy organizmat ku ne e kemi vendin. Dua ta potencoj sërish që liberalizimi i vizave është vonuar, dhe kjo dëmton kredibilitetin BE-së. Ky liberalizim duhet të ndodhë sa më parë. Për këtë e falënderoj Pahorin për mbështetjen e tij të fuqishme dhe t’i kërkoj përkahjen që t’i bind ato pak shtete që kanë hezitime sa i përket këtij procesi”, ka thënë Osmani. / Gazeta Enigma.