Si pionier i një loje presioni me intensitet të lartë, të pranuar gjerësisht në të gjithë Gjermaninë, Ralf Rangnick ishte një frymëzim për trajnerët si Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel, të cilët kanë vazhduar të jenë të suksesshëm në dy nga ekipet më të mëdha të futbollit të Anglisë.
Në moshën 63-vjeçare, Rangnick po shkon vetë në futbollin anglez, i gatshëm të përballet me bashkatdhetarët e tij si trajner i klubit më madhështor.
Trajneri i nderuar gjerman u punësua të hënën për të drejtuar Manchester Unitedin deri në fund të edicionit, një emërim që ka të ngjarë të ndryshojë stilin e lojës dhe strukturën e menaxhimit të një gjiganti të Premier League që kërkon të kthehet në krye të futbollit anglez pas gati një dekade të pasuksesshme.
Rangnick ka lënë rolin e tij si drejtues i sportit dhe zhvillimit në klubin rus Lokomotiva e Moskës, për të marrë drejtimin e Unitedit, i cili është menaxhuar nga ish-lojtari Michael Carrick që nga shkarkimi i Ole Gunnar Solskjaer më 21 nëntor. Unitedi, i cili është në vendin e tetë në tabelë pas një të tretës së edicionit të Premier Leagues, po planifikon të punësojë një trajner të përhershëm pas përfundimit të këtij kampionati. Në atë kohë, Rangnick do të marrë një “rol këshilltari për dy vjet të tjera”, tha klubi në njoftimin e lëshuar të hënën.
“Skuadra është plot me talente dhe ka një ekuilibër të madh të rinisë dhe përvojës”, tha Rangnick në prononcimin e tij të parë. “Të gjitha përpjekjet e mia për gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë t’i ndihmojë këta lojtarë të përmbushin potencialin e tyre, si individualisht dhe, më e rëndësishmja, në mënyrë ekipore”.
Funksionimi i skuadrave si njësi ka qenë forca e madhe e Rangnickut në karrierën e tij të gjatë në menaxhimin e futbollit. Karriera e tij filloi në vitet 1980-ta, kur si lojtar-trajner i skuadrës së nivelit të gjashtë të Gjermanisë, Viktoria Backnang, shikonte i mahnitur para një turneu stërvitjet e Dynamo Kyiv të drejtuara nga i madhi ukrainas Valeriy Lobanovskyi. Kjo ndodhi përpara se ta pushtoj ekipin gjerman me intensitetin dhe presionin e pamëshirshëm në tërë fushën.
Kjo e bëri Rangnickun të mendojë thellë për lojën. Tani ai konsiderohet “Profesor” i futbollit gjerman, pasi stili i tij i lojës u përhap në vendin e tij të lindjes dhe u bë gjithnjë e më dominues në mbarë botën gjatë dekadës së fundit.
Nën drejtimin e Kloppit, Liverpooli fitoi titullin e kampionit në Premier League në vitin 2020 dhe Ligën e Kampionëve në vitin 2019. Chelsea e udhëhequr nga Tuchel, fitoi Ligën e Kampionëve edicionin e kaluar dhe po kryeson në Premier League këtë kampionati. Drejtori i Unitedit, John Murtough e përshkroi Rangnickun si një nga trajnerët dhe novatorët më të respektuar në futbollin evropian.
“Ai ishte kandidati ynë numër një për trajner të përkohshëm, duke reflektuar lidershipin dhe aftësitë teknike të paçmueshme që ai do të sjellë nga pothuajse katër dekada përvojë në menaxhim dhe stërvitje”, tha Murtough.
Ardhja e Rangnickut në “Old Trafford”, për përvojën e tij të parë në futbollin anglez, duhet të ndryshojë stilin e lojës së Unitedit. Skuadra me 20 tituj të Anglisë po kërkon ta shpëtojë edicionin që i doli jashtë binarëve nën drejtimin e Solskjaerit. Unitedi është tashmë 12 pikë prapa Chelseat pas 13 ndeshjeve, me Solskjaerin të paaftë për të zhvilluar një lojë për të sfiduar rivalët më të mëdhenj të ekipit të tij në Angli.
Mungesa e një loje me presion ishte veçanërisht e dukshme, sidomos kur Chelsea, Liverpool dhe Manchester City – tre të parët në tabelë – e bëjnë këtë aspekt të lojës aq mirë. Rangnick duhet ta sigurojë këtë, megjithëse mënyra se si disa lojtarë – veçanërisht 36-vjeçari Cristiano Ronaldo – mbetet të shihet se si do të përshtaten në këtë stil.
Ndeshja e parë e Rangnickut në krye të Unitedit do të jetë kundër Arsenalit të enjten, nëse ai është në gjendje të sigurojë një vizë pune deri atëherë. Nëse jo, Carrick do të vazhdojë në një rol të përkohshëm në të cilin ka kaluar mirë, duke siguruar një vend në fazën e nokautit të Ligës së Kampionëve pas fitores ndaj Villarrealit, dhe një barazimi në Premier League kundër Chelseat.
Pjesa më e madhe e karrierës së Rangnickut gjatë dekadës së fundit kaloi si drejtor sportiv, fillimisht në Salzburg dhe më pas te Leipzigu. Pastaj ai kishte një rol të përgjithshëm në rrjetin e Salzburgut, duke mbikëqyrur transferimet dhe punësimet ndërsa trajnerët udhëhiqnin punën taktike të përditshme.
Roli i tij më i fundit, në Rusi te Lokomotiva, ka qenë i njëjtë. Ai kishte autoritet të përgjithshëm për strategjinë e transferimeve dhe emërimin e trajnerit. Pika kryesore e një sërë periudhash jetëshkurtra si trajner me klubet gjermane ishte te Schalke, ku ai fitoi Kupën e Gjermanisë në vitin 2011. Në të njëjtin vit arriti në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, përpara se të mposhtej nga Unitedi i Alex Fergusonit.
Rikthimi i Unitedit në garën kryesore të Evropës do të jetë qëllimi i tij. Skuadra është pesë pikë prapa West Hamit të vendit të katërt. Më pas do të fillojë të punojë si këshilltar, ndoshta duke vendosur një filozofi që do t’i shërbejë mirë klubit për një periudhë të gjatë. /Gazeta “Enigma”/