Bordi i përkohshëm i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” ka shfuqizuar vendimin e datës 18 nëntor për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv, Fatos Krasniqit.
“BpD pasi ka përfunduar me sukses procedurën e rekrutimit dhe vlerësimit të datës 18.11.2021 ka përzgjedhur kandidatin më të suksesshëm Fatos Krasniqi për pozitën kryeshef ekzekutiv i KRU ‘Prishtina’”.
“Ndërsa, më 29.11.2021 BpD ka pranuar email nga i përzgjedhuri në pozitën e KE-së, i cili është tërhequr nga kjo pozitë me arsyet që përmban emaili i pranuar”, thuhet ne vendimin e Bordit të kësaj ndërmarrje.
Po ashtu, bëhet e ditur se bordi ka aprovuar dorëheqjen e krye shefit të KRU-së.
“Bordi i përkohshëm i drejtorëve të KRU ‘Prishtina’, pas shqyrtimit dhe analizimit të situatës së krijuar pas tërheqjes së kandidatit të përzgjedhur nga kjo pozitë, për shkak të ndryshimit të rrethanave faktike vendosi si në dispozitv të këtij vendimi. Njëkohësisht përfundohen të gjitha procedurat e rekrutimit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv”.
Në listën që kishte siguruar agjencia e lajmeve Kosovapress, Fatos Krasniqi kishte marrë më së shumti pikë në konkursin e hapur, duke u vlerësuar me 38.17 në mesin e 16 kandidatëve në këtë listë.
Ndryshe, Bordi i përkohshëm i atëhershëm i kësaj ndërmarrjeje publike, në mars të vitit 2020 kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv, Ilir Abdullahun. Kurse, në prill të vitit 2020, po ai bord kishte emëruar ushtrues detyre të kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, Sokol Xhafën.