Pas The Weeknd, artisti tjetër që ka vendosur ta bojkotojë ceremoninë prestigjioze të ndarjes së çmimeve “Grammy” është rep artisti, Drake.
Lajmin e kanë bërë të ditur burime të magazinës “Variety”, kanë zbuluar se ylli i hitit “God’s Plan”, ka tërhequr në mënyrë sensacionale dy nominime për ceremoninë e “Grammy 2022”.
Drake, i cili aktualisht është 35 vjeç, ka qenë në garë në gjithsej dy kategori, atë për “Albumin më të mirë Rap” me albumin “Certified Lover Boy” si dhe “Perfromanca më e mirë Rap” me këngën “Way 2 Sexy”.
Burime të tjera pranë magazinës “The Post” kanë mësuar se rep artisti kishte shprehur dëshirën për tu tërhequr nga nominimet e “Grammy”, teksa këta të fundit me mirëkuptim të plotë e kanë miratuar kërkesën e tij.
Krijuesi i hitit “Hotine Bling”, në karrierën e tij të deritanishme ka fituar vetëm katër çmime “Grammy”, që është një shumë e vogël krahasuar me rep artistët e tjerë të tillë si Jay Z, i cili ka fituar jo më pak se 23 sosh deri më sot.
Drake ishte një nga pesë artistët në secilën prej kategorive në të cilat ai u nominua. Variety raporton se ai nuk do të zëvendësohet në asnjërën kategori dhe katër artistët e mbetur tani do të luftojnë për secilin prej çmimeve.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Grammy” cilësohet si një eveniment prestigjioz në industrinë e muzikës, ndërsa fituesit votohen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit – një organizatë elitare e përbërë nga interpretues, producentë si dhe audio inxhinierë.
Drake nuk është artisti i vetëm që është distancuar nga ky eveniment, pasi që njëjtë kishte vepruar edhe The Weeknd, i cili nuk kishte pranuar ftesën për të qenë pjesë e kësaj gala mbrëmjeje me arsyetimin se albumi i tij “After Hours” nuk ishte nominuar në asnjë kategori.