Zyrtari i lartë amerikan Gabriel Escobar thotë se vendimet për të shpallur një zyrtar apo ish zyrtar si të korruptuar është institucional dhe aspak politik, duke sjellë në vëmendjen rastin e dy ditëve më parë, me sanksionet ekonomike që iu vunë grupit serb në veri të Kosovës.
Ai thotë se edhe në rastin e sanksioneve ndaj serbëve të Kosovës, hetimet janë zhvilluar qysh në kohën kur president ishte Donald Trump.
“Nëse sheh rastet e shpalljeve të bëra dje në veri të Kosovës, ato hetime u deshën vite të zhvilloheshin. Nuk është thjesht kjo administratë, por edhe administrata e mëparshme dhe administrata para saj kanë zhvilluar hetime”, deklaroi Escobar në një intervistë për News 24.
Ndërsa i pyetur për pretendimet e ish-kryeministrit Berisha se vendimi për shpalljen e tij non grata ka qenë skemë e Sorosit e miqve të tij për shkak se ai ishte kundër ndarjes së Kosovës , Escobar i konsideron absolutisht të gabuara, madje të rrezikshme sipas tij.
“Absolutisht nuk është reale. Kjo është absolutisht e gabuar. Është e rrezikshme”, deklaroi Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan thotë se shumë njerëz pyesin pse Amerika më shumë i shënjestron rusët, ukrainasit apo serbët, por ai thotë se nuk e kanë këtë qëllim.
“Pse i shohim më të shënjestruar rusët, apo ukrainasit apo serbët? E vërteta është se ne e ndjekim korrupsionin aty ku është. Pra, kjo është një përpjekje midis agjencive, një përpjekje midis shumë agjencive, që përfshin Departamentin e Thesarit, FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit, për të kuptuar se ku është korrupsioni dhe për të kuptuar se ku është ndikimi gërryes. Dhe ky është një vendim institucional, jo një vendim politik”, deklaroi tutje Escobar./Gazeta Enigma/