Pas mbushjes së stadiumit “Air Albania” nga delegatët e PD dhe simpatizantë të partisë, Sali Berisha është ngjitur në tribunën kryesore, përmes ovacioneve dhe brohoritjeve të mbështetësve.
Me propozim të tij, është mbledhur sot kuvendi kombëtar i PD, ku është paralajmëruar se do të ndryshohet statuti i partisë dhe do të shkarkohet kryetari Lulzim Basha.
Sipas verifikimit elektronik, nga 7500 delegatë që ka PD, kanë kaluar pozitivisht skanerin mbi 4000 delegatë.
Para nisjes së Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi edhe njëherë organizatorët e “Foltores” dhe Berishën se nuk i kanë firmat e duhura për të thërritur Kuvendin. Ai tha se për Kuvendin e 18 dhjetorit që është thërritur nga Kryesia kanë konfirmuar pjesëmarrjen 5259 anëtarë, ndërsa 1146 anëtarë kanë refuzuar./Gazeta “Enigma”/