Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ngjitur në podiumin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke e cilësuar ngjarjen si një monument madhështor i rithemelimit të forcës më të madhe politike në vend.
Sipas tij, qëllimi i vërtetë i Kuvendit, është shndërrimi i PD-së, në partinë e idealeve më fisnike të shqiptarëve.
“Në partinë e vlerave konservatore të lira. Në partinë e interesit kombëtar. Në partinë e integrimit euroatlantik. Por, mbi të gjitha, në partinë e qytetarit, të anëtarit, të forcës politike që nesër në pushtet, do të ketë në qendër qytetarin shqiptar”.
Kështu mendon Berisha ta përkufizojë një PD sërish nën pushtetin e tij, pasi delegatët miratuan ndryshimet në statut dhe po votojnë për shkarkimin e Lulzim Bashës nga kryesimi i bluve.
Me një tribunë të tejmbushur përpara vetes, Berisha i premtoi simpatizantëve të tij, se do të rivendosë në shoqëri vlerat më të mëdha e të çmuara.
Liritë e individit, dinjitetin njerëzor, ekonominë e tregut, pronën, taksat e ulëta, rritjen e rrogave dhe pensioneve. Të gjitha këto, do të jenë në fokus të Berishës.
Mbi shpalljen si non grata, Berisha foli, duke ftuar sërish amerikanët që të reflektojnë mbi të. Ai e vijoi retorikën e pastërtisë së figurës së vet, të cilën e quan si “të pakorruptuar”. Njëkohësisht, edhe akuzat ndaj familjes së tij, ai i hodhi poshtë./Gazeta “Enigma”/