Qeveria sot mori vendim që nga 20 gushti e deri më 10 shtator hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen ahengjet familjare, tubimeve masive që kanë kapacitet mbi 100 persona do të lejohet vetëm me certifikatën e vaksinimit apo testin PCR jo më të vjetër se 72 orë.
Sipas Shoqatës së Gastronomëve ani pse koha e vendimit të marrë është mjaft e shkurtër shpresojnë se procesi do të shkojë pa telashe përderisa inxhinieri i teknologjisë Ermal Sadiku thotë se procesi i verifikimit më certifikatë të vaksinimit nuk do të funksionojë.
Pa certifikatën e vaksinimit hyrja në tubime do të jetë pothuajse e pamundur. Kjo pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë marrë ditën e enjte.
Procedurë të kompleksuar e cilëson pjesën e verifikimit të certifikatës së vaksinimit inxhinieri i teknologjisë, Ermal Sadiku.
“Është vetëm një letër e cila është shumë jo praktike, e cila për fat të keq nuk garanton diçka të caktuar sepse nuk është e lidhur me fotografi. Do të thotë se dikush duhet të kontrollojë edhe letërnjoftimin, emrin, mbiemrin dhe kjo është procedurë”, tha Sadiku për RTK-në, përcjellë Gazeta “Enigma“.
“Unë mendoj se nuk ka me funksionu. Mendoj se duhet me u digjitalizu e kjo ka me kushtu pak edhe ka me lypë kohë’, theksoi ai.