Komisioni Qendror Zgjedhor ka konfirmuar se ka pranuar formularë me kërkesën për shkarkimin nga funksioni të kryetarëve të katër komunave veriore me shumicë serbe.
Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ ka thënë për lajmi.net se kanë pranuar katër e-mail, tri prej të cilëve kanë pasur të bashkëngjitur formularin e plotësuar për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.
Elezi ka shtuar se këto shkresa do të trajtohen.
“Mund t’iu konfirmoj se gjatë ditës së sotme, në disa e-maila zyrtar, kemi pranuar katër e-maile, tri prej të cilave kanë të bashkëngjitur të plotësuar formularin për inicimin e kërkesës për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në këtë fazë, mund t’iu them se këto shkresa do të trajtohen dhe do t’iu informojmë për këtë”, ka thënë Elezi.
Kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore me shumicë të popullatës serbe, të cilët u zgjodhën me vota në zgjedhjet lokale të prillit 2023, u vendosën në objektet komunale nga fundi i majit, hap që nxiti kundërshtim dhe protesta të serbëve lokal.
Institucionet e Kosovës janë deklaruar kundër kërkesave për dorëheqje të kryetarëve në katër komunat në veri të Kosovës dhe kanë thënë se zgjedhjet në këto komuna do të mund të mbahen vetëm pas organizmit të një peticioni me të cilin kryetarët do të mund të largoheshin nga detyra.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, muaj më parë ka thënë se çfarëdo kërkese tjetër për largimin e kryetarëve në veri, përveç me peticion, është kërkesë e Serbisë dhe si e tillë nuk do adresohet.
Ligji për Vetëqeverisje Lokale në Kosovë specifikon se në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje, në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse apo në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj pa arsye.