A e bëri Pakoja e Ahtisaarit zgjidhjen më të mirë për Asociacionin e Komunave?

A e bëri Pakoja e Ahtisaarit zgjidhjen më të mirë për Asociacionin e Komunave?

Nënsekretari i Finlandës për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kai Sauer, ka treguar se cila është arsyeja e vizitës së tij në Kosovë.

“Unë kam qenë këtu në muajin mars të vitit 2020, ishte vizita e fundit para se u ndaluan udhëtimet dhe tani është vizita ime e parë e punës pas më shumë se një viti. Arsyeja pse jam këtu në thelb është që Qeveria e Finlandës është e interesuar që të kemi marrëdhënie të mira me Kosovën dhe po ashtu jemi të interesuar të mbështesim përpjekjet e BE-së për të promovuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë kam një sfond të gjatë profesional në Kosovë. Kam qenë me UNMIK-un, nga viti 2003 deri në vitin 2005, kam pasë gjithashtu kënaqësinë të ndihmoj presidentin Ahtisaari kur po punonte në procesin për të ardhmen e statusit të Kosovës. Kam interes të lartë për Kosovën”.

Sauer ka deklaruar se nuk mund të komentojë për faktin se pesë shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Janë 22 shtete të BE-së të cilat e kanë njohur Kosovën dhe një numër relativisht i lartë i shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Fakti që Kosova nuk është e njohur universalisht nënkupton që ka disa punë të pakryera të cilat shpresoj që dialogu i lehtësuar nga BE-ja mund të çojë drejt një situate të papërmirësuar. Çështjet e mëdha që akoma janë pezull janë që statusi i Kosovës nuk është i njohur universalisht, nuk keni anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, nuk keni qasje në shumë institucione ndërkombëtare dhe keni marrëdhënie me Serbinë të cilat duhet të normalizohen”.

Nënsekretari i shtetit finlandez ka thënë se në takimet e tij me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe akterët tjerë politikë në Kosovë kanë biseduar për dialogun me Serbinë, por jo edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ish-Këshilltari i Lartë i Martti Ahtisaarit ka treguar se si e ka paraparë Pakoja e Ahtisaarit krijimin e këtij asociacioni, pa u lëshuar në shumë detaje.

“Mund të them se i tërë Plani i Ahtisaarit ishte produkt ku i tërë komuniteti ndërkombëtar ka marrë pjesë në përgatitjen e tij. Kemi pasë shumë ekspertizë sa i përket të drejtave të pakicave, decentralizimin, trashëgiminë kulturore dhe e gjithë kjo ekspertizë është konsoliduar në Planin e Ahtisaarit në mënyrë që të përfaqësojë shumë standarde dhe kritere ndërkombëtare. Është një dokument cilësor dhe i tillë është edhe mendimi i ekspertëve”.

“Nëse e lexoni planin aty qëndron. Unë nuk kam ndonjë shpjegim ose interpretim të mëtejmë referuar decentralizimit apo komunave serbe. Mendoj se plani flet vetë”.

Related Articles