A i la ngujimi shije të hidhur? Hetemi thotë se nëse shkarkohet nuk garon më për postin e kryetarit

A i la ngujimi shije të hidhur? Hetemi thotë se nëse shkarkohet nuk garon më për postin e kryetarit

Në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq ka nisur nënshkrimi i peticioneve për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat. Shumë qytetarë, në mënyrë të organizuar, nisën të nënshkruheshin qysh në orën 9:00. Peticion i njëjtë pritet të iniciohet brenda pak ditësh edhe në komunën e Zveçanit dhe atë të Zubin Potokut.

Kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi, ka folur për këtë peticioni, duke thënë se po ndikohet nga Lista Serbe.

“Është i ndikuar, e dimë edhe më herët që janë ndikuar, këtu ka pasur protesta të dhunshme para pesë apo gjashtë muaj, të gjitha janë kanë të organizuar nga kriminelët dhe Listës Serbe”, tha ai për televizionin publik.

E në rast se shkarkohet, Hetemi thotë se nuk do të garojë më për postin e kryetarit.

Peticionin për shkarkimin e kryetarëve e nënshkruan edhe zyrtarë të Listës Serbe.

Në mesin e qytetarëve të mbledhur ishin kryetari i kësaj partie, Zllatan Ellek, dhe anëtarët e tjerë: Igor Simiq, Millan Radojeviq, Dragisha Milloviq e Zoran Todiq.

I pranishëm ishte edhe Goran Rakiq, ish-kryetar i Listës Serbe, i cili ishte në listën e kandidatëve të Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, që u mbajtën në dhjetor.

Lista Serbe njoftoi në tetor të vitit të kaluar se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, pa paraqitur ndonjë kusht sikurse më parë.

Thirrjes për zgjedhje të reja i parapriu një sulm në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator, 2023. Atë ditë, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Related Articles