Kandidati për kryetar të PDK’së, Memli Krasniqi ka treguar nëse kandidatura e tij për të parin e PDK’së është e koordinuar me ish-liderët e UÇK’së në Hagë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Krasniqi ka thënë se kandidatura e tij nuk është e koordinuar me askënd.
“Unë i kam hy garës sepse pres që të ketë garë. Unë nuk e kam koordinuar këtë kandidaturë me askënd sepse nuk ka në PDK njerëz që vendosin çka do të ndodhë”, është shprehur Krasniqi.
Tutje, ai u pyet se a ka pasur megjithatë ndonjë amin nga Thaci e Veseli, por Krasniqi u përgjigj negativisht.
“Jo, absolutisht. Është ditur që duhet të ndodhte konventa, megjithatë beteja e tyre sot është tjetër. Beteja e tyre është betejë e historisë së Kosovës dhe jo personale”, ka thënë Krasniqi, në emisionin Pressing të T7.
“Të shtunën unë do të dalë para PDK’së që t’ua prezantoj një platformë. Nëse ata pajtohen me bindjet e mia, atëherë pres të më mbështesin. Pres të ketë edhe kandidatë të tjerë, i ftoj të mos kenë mungesë të guximit. Edhe vetë kam pasur dilema, në fakt ka qenë shumë e vështirë. Mendoj që duhet me qenë një garë e hapur, jo rivalitet por konkurencë”, shtoi Krasniqi.