Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka thënë se nuk është ftuar që të jetë pjesë e ekipit nga Qeveria Kurti për dialogun Kosovë-Serbi.
Krasniqi-Goodman një gjë të tillë e ka bërë të ditur në T7, derisa ka shpresuar që pjesë e bisedimeve në takimet e radhës të jetë edhe çështja e grave të dhunuara në luftë.
“Lidhur me këtë çështje nuk kam pasur muhabet me Albin Kurtin, e as me askënd. Kështu që, nuk e di. Shpresoj që bile tema e viktimave të dhunës seksuale të gjendet në tavolinë, por nuk e di se do jetë ashtu apo jo. Unë nuk kam bisedu askënd për këtë punë”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, deputetja ka thënë se është e gatshme t’i dalë përpara presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e secilit funksionar tjetër kur bëhet fjalë për dialogun.
“Unë e kam forcën dhe vullnetit të ju dal përpara të gjithëve dhe të iu tregoj të gjithëve se çfarë ka ndodhur me mua dhe të gjitha viktimat e dhunës, se kam brengë se a mundem me u ballafaqu me Serbinë, a kushdo që janë ata”, ka thënë ajo në një prononcim telefonik për emisionin.
Krasniqi tutje ka thënë se edhe pse për rastin e saj nuk ka pasur drejtësi, me dënimin e Zoran Vukotiq ajo po ndihet sikur të jenë dënuar kryesit e veprës së saj.