Reshje të mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të Kosovës, shkruan Gazeta Enigma.
Shumica prej qyteteve të Kosovës tani e një javë rrezikohen nga vërshimet për shkak të reshjeve të shiut.
Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës në një prononcim për Gazetën Enigma tha se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë deri në pesë ose gjashtë ditë, por që lumenjtë janë në kuotën e tyre normale dhe nuk pritet të ketë vërshime.
‘’Faktikisht tani tri e katër ditë jo vetëm te ne por edhe në rajon është duke qarkulluar një ciklon i cili pritet diku deri në pesë ose gjashtë ditë të vazhdojë’’, tha Kastrati.
Tutje ai ka shtuar se ky institut çdo ditë bëjnë apelin edhe pse nuk e përfshirë vetëm Kosova por edhe Ballkani dhe më gjerë.
‘’Ne çdo ditë e bëjmë apelin, edhe pse nuk jemi të përfshirë vetëm ne, por edhe Ballkani dhe më gjerë kanë probleme si Hungaria, Rumania, Sllovenia, Kroacia, Serbia me përmbytje të kategorisë pak më të lartë’’, ka deklaruar ai.
Kastrati ka theksuar se situata meteorologjike dhe hidrologjike në vend janë në monitorim gjatë gjithë kohës nga ana e tyre.
‘’Ndërsa te ne natyrisht ne jemi dëshmitar çdo ditë ka reshje me karakter lokal, sepse jo në të njëjtën kohë përfshihet i gjithë territori i Kosovës’’, tha Kastrati për Enigmën.
‘’Ne jemi duke e përcjell situatën meteorologjike dhe hidrologjike, dhe sa i përket përmbytjeve apo vërshimeve lumore absolutisht nuk do të ketë vërshime apo përmbytje lumore, së paku prej rrjetit të stacioneve hidrometrike të cilat ne i monitorojmë’’, ka theksuar ai.
Sipas tij Kosova aktualisht është duke kaluar një sezon të thatë, dhe se niveli në lumenjtë është nën vlerat e tyre më ulëta.
‘’Ne aktualisht jemi duke kaluar një sezon jashtëzakonisht të thatë me deficit të lagështisë, ku edhe nivelet nëpër lumenjtë e Kosovës janë nën vlerat e tyre më të ulëta’’, tha ai.
‘’Prandaj edhe kjo sasi e reshjeve që bie, natyrisht mund të ketë probleme apo vështirësi të karakterit lokal sepse për një interval kohorë shumë të shkurtër janë bien sasi e madhe e reshjeve, në rast të tillë e kemi pasur edhe mbrëmë pasdite në qytetin e Pejës ku brenda pak orëve ka rënë një sasi shumë e madhe e reshjeve’’, ka deklaruar Kastrati.
Padyshim këto reshje mund të shkaktojnë vështirësi në komunikacion, në sistemin e kanalizimeve, në përmbytjen e ndonjë shtëpie apo objekti afarist.
‘’Natyrisht kjo është e pashmangshme që mos të paraqet probleme në vendet apo zona të caktuara, sidomos të karakterit lokal, paraqet vështirësi në komunikacion, në sistemin e kanalizimeve, natyrisht eventualisht edhe në përmbytje të ndonjë shtëpie apo podrumi ose të ndonjë objekti afarist, dhe të kulturave të ndryshme bujqësore’’, tha Kastrati.
‘’Pra këto probleme janë të karakterit lokal, ndërsa lumenjtë e Kosovës janë në kuotat e tyre normale dhe nuk parashikohet që të ketë përmbytje apo vërshime në lumenj’’, ka përfunduar ai.
/Gazeta Enigma/