Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, me ç’rast është diskutuar për situatën politike në vend.
Pas mbledhjes, ky subjekt ka dërguar një komunikatë për media, ku ndër të tjera, theksohet se “ata që sot provojnë të ecin përpara duke mos e përfillur aleatin kryesor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Amerikën, nuk janë të vërtetët”, raporton Klan Kosova.
“Ata që e zvarrisin marrëveshjen përfundimtare për njohje me Serbinë, me lloj-lloj marifetesh e justifikimesh, e me zgjidhje qesharake për veriun e vendit, e kanë me hile. Ata i janë futur një misioni të pamundshëm, rikthimin e Kosovës në pikën zero”, thuhet në komunikatë.
Sipas këtij subjekti politik, është detyrë e secilit, që qysh sot të zhbllokohet gjendja e krijuar në veri dhe të përmbyllet kapitulli i marrëveshjes finale me Serbinë dhe sipas AAK-së, kjo nuk mund të bëhet me njerëzit që nuk janë të vërtetët.
Në planin e brendshëm e vërteta e AAK-së mbështetet në tri shtylla:
• Rend dhe ligj e pa sulme të pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë dhe medieve;
• Luftë kundër korrupsionit e informalitetit, që nënkupton shkëputje të lidhjeve të shkurtra korruptive, depolitizim të administratës e të bordeve;
• Zhvillim ekonomik e sektorial që nënkupton zhbllokimin e mjeteve financiare dhe rikthimin e tyre në projektet zhvillimore, heqjen e pengesave për investime të huaja, mbështetjen e bizneseve vendore e jo anatemimin e tyre si dhe politika të qëndrueshme në sektorë veç e veç.