AAK-Nisma lidhin koalicion me Listën Konservatore

AAK-Nisma lidhin koalicion me Listën Konservatore

Bashkimi opozitar AAK-Nisma kanë lidhur marrëveshje koalicioni me Listën Konservatore.

“Të vetëdijshëm për gjendjen e rënduar në vend, si në aspektin ekonomik e social, po ashtu edhe në rrafshin nacional e në pozitën ndërkombëtare të Kosovës, si dhe rrezikun potencial të zhdukjes së gjithë asaj që është arritur deri më sot në ndërtimin e shtetit të Kosovës, bashkimi opozitar AAK-Nisma, lidhë marrëveshje koalicioni me Listën Konservatore”, thuhet në komunikatën e AAK-së.

Sipas kësaj komunikate, koalicioni bëhet me qëllim të dhënies fund politikës së degradimit të shtetit e të shoqërisë e për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe në NATO.

“Koalicioni, bëhet me qëllim të dhënies fund politikës së degradimit të shtetit e të shoqërisë, të vlerave morale e njerëzore, rrezikimit të njeriut dhe familjes, si dhe të përshpejtimit të proceseve integruese të Kosovës në BE dhe në NATO”.

Pajtimi për të qenë të ndryshëm, por me një qëllim e synim të përbashkët, mbrojtjen e vlerave të traditës, zhvillimin e mirëqenien e shtetit, individit e familjes, janë parimet e kryesore mbi të cilat bashkimi opozitar i Aleancës me Nismën lidhin këtë marrëveshje Koalicioni me Listën e Konservatore:

  1. Bashkimi opozitar AAK-Nisma dhe Lista Konservatore dakordohen se do t’i promovojnë dhe do t’i ruajnë vlerat e përbashkëta konservatore progresive që në qendër kanë shtetin dhe familjen.
  2. Palët e pranojnë si obligim të përbashkët krijimin e Ministrisë së Familjes në kuadër të Qeverisë së Kosovës.
  3. Lista Konservatore, si pjesë e këtij koalicioni, fokusohet në promovimin e vlerave të trashëgimisë kombëtare, kulturore, fetare e etike.
  4. Palët zotohen për respektimin e vlerave kombëtare dhe mos cenimi i tyre për asnjë interes politik, partiak apo grupor. Në funksion të kësaj të përcaktohen përmes një ligji të veçantë çështjet me interes kombëtar ku përfshihet mbrojtja e vlerave të luftës së UÇK-së.
  5. Respektimi i plotë i identitetit kombëtar, fetar dhe diversitetit etnik dhe kulturor në Kosovë, duke u përmbajtur nga çdo deklarim, sjellje apo veprim që cenon ekuilibrat midis identiteteve të vendosura ndër shekuj te shqiptarët.
  6. Formimi i Drejtorisë për çështje fetare pranë Zyrës së Kryeministrit, e cila do të ishte në funksion të mbështetjes së bashkësive fetare në Kosovë.
  7. Objektivat programore të Listës Konservatore harmonizohen në Programin e përbashkët zgjedhor, që do të hartohet nga një ekip i përbashkët.
  8. Pjesëmarrja e Listës Konservatore në Listën për deputetë si dhe renditja në listën zgjedhore rregullohet me një aneks të veçantë.

Related Articles