Deputeti i Lëvizjes Vetëvendojse, Haki Abazi, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se sot i ka ndodhur edhe një incident në Kuvendin e Kosovës, me bashkpartiakët e tij.
Ai ka thënë se në momentin që ka shkuar tek ulësja e tij në Kuvend, ka parë që vendin e tij e ka zënë deputeti Besim Muzaqi.
Abazi ka deklaruar se kjo ka ndodhur me urdhër të kryeministrit Kurti.
“Incidenti i radhës që ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Kur shkova te ulësja në kuvend, me urdhër të Kurtit dhe pa paralajmërim, nga Çadra e Gadafit, kishin urdhëruar deputetin Besim Muzaqi që të ulet në vendin tim, duke e hequr kartelen time nga aparati , dhe afër tij kishin zhvendosur Sali Zybën. Kaq fuqi kanë, kaq dije kanë dhe me këto gjëra merren, kush ku ulet dhe me kënd flet. Turp Krejt dhe Drejt!”, ka deklaruar Abazi.
Deputeti ka deklaruar se “për të mbuluar dështimin në Bruksel të një rezultati negativ që ka orientuar procesin drejt ose kompromisit që e dështon rendin kushtetues të vendit ose e izolon Kosovën nga perendimi, deshën sot në Kuvendin e Kosovës të orkestrojnë një skandal e pëprlasje fizike me Sali Zybën. Asnjë kuptim tjetër nuk kishte prezenca e përforcuar e Zybës. Ky mentalitet politik i Kurtit është dëshprues dhe veprim fëmijësh”.