Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se opozita dhe populli i Kosovës janë në terr informativ sa i përket draft propozimit të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku tha se janë bërë gati dy javë që nga akti i pranimit të këtij dokumenti nga Kryeministri i Kosovës.
Abdixhiku tha se “ndonëse në emrin e popullit të Kosovës, Kryeministri i vendit ka pranuar një dokument që për herë të parë definon statutin e Asociacionit, ne vazhdojmë të jemi në terr të plotë informativ”.
“Një dokument kaq jetik, i dakorduar tashmë në raport me Serbinë, vazhdon të mos shpaloset paraprakisht para popullit të Kosovës. Si Lidhje Demokratike e Kosovës, nëpërmjet Kryetarit të Kuvendit kemi kërkuar qasje zyrtare në këtë dokument. Jo vetëm për deputetët e partisë sonë politike, por për të gjithë deputetët në këtë Kuvend. Një qasje e tillë nuk na është siguruar ende”, ka thënë Abdixhiku.
“Tani unë s’them se Asociacioni Kushtetues s’duhej bërë. Përkundrazi, them që keni bërë mirë që nga pozicioni i juaj refuzues, keni arritur në atë pranues; nëse gjithmonë bëhet fjalë për Asociacion Kushtetues e jo autonomi. Këtë ende nuk e dimë, dhe për të kuptuar këtë duhet parë dokumenti”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka thënë se sot në Kuvend është dashur të flitet për një materie të pranuar zyrtarisht, të shndërruar tani në obligim ndërkombëtar dhe pasi nuk mund të flitet për përmbajtjen, sipas tij, deputetet duhet të flasin për procesin dhe të hamendësojnë.
“Ky hamendësim bëhet edhe më i thellë kur kuptojmë se dy zyrtarë shtetërorë, Kryeministri dhe Presidentja, që kanë pranuar dokumentin në gjithë përbërjen e tij, kanë dhënë dy qëndrime kontradiktore në përmbajtje të tij. Gjersa Kryeministri pretendon se Statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese – ose së paku kështu i kanë thënë atij – Presidentja, si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalosë hezitimin e ngutisë për një cilësim të tillë. Dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e qartë e mospërputhjes me Kushtetutë”, ka thënë Abdixhiku.
I pari i LDK-së ka thënë se ky draft propozim do të duhej të ndahej me partitë opozitare para se të pranohej.
“Për të pasur qartësi na duhet të shohim dokumentin. Për të parë dokumentin, duhet ta ndani atë me popullin e Kosovës. Ta ketë Serbia një dokument të tillë, para përfaqësuesve në Republikë është thjeshtë paradoks”, ka thënë Abdixhiku.