Abdixhiku për Kurtin: Kjo Qeveri përfaqëson rastin më të rëndë në ndryshimin e qëndrimeve

Abdixhiku për Kurtin: Kjo Qeveri përfaqëson rastin më të rëndë në ndryshimin e qëndrimeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova e ka të garantuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues në çdo përballje me Serbinë.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, ai ka deklaruar se kjo duhet t’i mjaftojë Kosovës për t’u futur guximshëm në procesin dialogues me qëllim të përmbylljes së çështjeve me Serbinë, si dy shtete të pavarura e sovrane. Abdixhiku e ka kritikuar Qeverinë Kurti për punën që ka bërë prej momentit që është në pushtet. Sipas tij, kjo Qeveri përfaqëson rastin më të rëndë të ndryshimeve të qëndrimeve.

I pari i LDK-së ka treguar se ky subjekt e ka të qartë rrugën përpara: “I ka të qarta reformat substanciale që do t’i bëjë. Në këtë rrugëtim do të jem i pakompromis sepse këtë e kërkon anëtarësia jonë e qytetarët e vendit. Kam marrë këtë detyrë, për të bërë mu këtë dhe do ta bëj pa asnjë hezitim”.

Pos politikës, Abdixhiku në intervistën për Klankosova.tv ka folur edhe për veten e tij dhe familjen. Ai ka treguar preferencat momentale të leximit.

“Kohëve të fundit kryesisht ndodhem në mes të librave të Stephen Hawking, mbi hapësirën, kohën, universin dhe vetë teorinë e kuantumit; sikurse të mitologjisë greke. Sapo kam përfunduar librin e Stephen Fry ‘Troja: Tregimi ynë më i madh, i ritreguar’; një përmbledhje e shkëlqyeshme e tregimeve mitologjike”, ka thënë Abdixhiku.

Derisa ka folur për familjen e tij, ai ka deklaruar se gruaja e tij, Albina është shtylla e shtëpisë, duke treguar se një ditë e tyre nis me mëngjesin e hershëm derisa bashkë me bashkëshorten dhe vajzat e tij, dalin nga shtëpia.

“Për mua, familja është jashtëzakonisht e rëndësishme. Koha me ta, pavarësisht kohëzgjatjes, duhet të jetë e vërtetë dhe e qetë. Brengat, problemet, ngarkesat e përditshme në atë kohë të përbashkët duhet t’i lëmë anash. Se sa ia dalim gjithherë, kjo është çështje tjetër më pas”,ka thënë Abdixhiku.

Related Articles