Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Qeverinë Kurti pas krizave ekonomike që kanë përfshirë vendin tonë në muajin e fundit, raporton Gazeta Enigma.
Abdixhiku thotë se shtetet e rajonit po marrin vendime të cilat javë më parë i kishin rekomanduar në Kosovë.
“Përderisa Qeveria jonë kalon edhe një mbledhje si vëzhguese e krizave ekonomike që kanë tronditur vendin tonë e një botë të tërë, shtetet e rajonit po marrin vendime që me javë të tëra i kemi rekomanduar në Kosovë. Maqedonia e Veriut pak orë më parë, uli TVSH-në në naftë e në derivate nga 18%, në 10%. Uli dhe akcizën për to. Dhe nuk u ndal me kaq, reduktoi në 0% të gjitha tatimet – e brendshme e doganore pa dallim – në të gjitha produktet bazike ushqimore. E bëri me qëllim që përballja e qytetarëve atje të jetë sa më e lehtë. Hapa të tillë po marrin shtetet një nga një; por shteti ynë megjithatë vështron”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Kreu i LDK-së ka kërkuar nga kryeministri që të veprojë.
“Kryeministër vepro. Jemi në krizë të përballueshmërisë! Janë masa të logjikshme këto; të përkohshme, dhe pa ndonjë rrezik buxhetor. Nuk ka rëndësi nga kush vijnë e kush i propozon, rëndësi kanë të implementohen ato”, ka pohuar ai.
Sipas Abdixhikut çdo ditë vonesë e Qeverisë me mosreagim, është çmim ekonomik i pakthyeshëm për gjithë vendin.