Abdixhiku-Kurtit: Në planin evropian të pranuar nga ju, a është njohja e ndërsjellët, pra aktin ku Serbia e njeh Kosovën?

Abdixhiku-Kurtit: Në planin evropian të pranuar nga ju, a është njohja e ndërsjellët, pra aktin ku Serbia e njeh Kosovën?

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në takimin që e kishte pasur me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, në gusht të vitit 2022, kishte pranuar një dokument mbi pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut.

Abdixhiku tha se dokumenti ishte diskutuar më vonë edhe në mbledhje të qeverisë dhe sipas tij, përpara se t’i prezantohej spektrit politik në Kosovë dhe vet qeverisë, i njëjti i ishte prezantuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Dokumenti i tij dhe sëkëndejmi pozicioni i tij e i Kosovës, mbante titullin e elementeve të kornizës së përgjithshme për marrëveshje ligjërisht të obligueshme në normalizimin e plot të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”.

“Ky dokument e pozicion i kishte gjashtë kapituj, që përbënin elemente që marrëveshja finale dhe ligjërisht e obligueshme duhet t’i ketë”.

“Kapitullin e parë flitej për njohje në qendër të marrëveshjes finale. Kapitulli i dytë fliste për të kaluarën, për dëmet e luftës që Serbia i kishte shkaktuar në Kosovë e duhej t’i kompensonte, për të zhdukurit e të zhvendosurit. Në kapitullin e katërt flitej për reciprocitet të plot mes organizimit të shqiptarëve në Luginë e serbëve në Kosovë. E, në kapitullin e pestë flitej për rikonsiderimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake”, është shprehur Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku foli edhe për takimin e tij me Kurtin më 8 nëntor, ku tha se i ishte dorëzuar dokumenti i planit franko-gjerman, për të cilin tha se nuk përmbante një marrëveshje finale e ligjërisht të obligueshme teksa shtoi se ishte shumë larg propozimit fillestar të Kurtit që ia kishte prezantuar atij në gusht të vitit 2022.

“Këtë të hënë, më 6 shkurt, nëpërmjet një cicërime në gjuhën angleze, kuptuam se kryeministri i Kosovës ka pranuar në parim propozimin në fjalë. Si kuvend, si opozitë e si pozitë, si shoqëri e si Kosovë, askush nuk e di në këtë kuvend se cka ka pranuar kryeministri i Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.

Më tej, kreu i LDK-së, ia shtroi Kurtit katër pyetje, që sipas tij janë mbështetur në elementet e marrëveshjes finale, që Kurti ia kishte propozuar atij më 30 gusht në platformë.

“Në marrëveshjen e pranuar në parim nga ju, a bëhet fjalë për një marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme apo për një marrëveshje bazë e jopërfundimtare”.

“Marrëveshja e pranuar nga ju në parim, a e ka njohjen e ndërsjellët në qendër të saj, pra aktin ku Serbia e njeh Kosovën?”.

“Marrëveshja e pranuar nga ju në parim, a i ka elementet e platformës suaj që na keni prezantuar në gusht të vitit 2022, pra ato që lidhen me dëmet e luftës, me reciprocitetin në Luginë e kthimin e pasurisë së plaçkitur nga Serbia”.

“Kjo marrëveshje e pranuar në parim nga ju, a parasheh konsiderimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake, siç kërkonit në gusht të vitit 2022, apo implementimin e të gjitha marrëveshjeve pa dallim”, e pyeti Abdixhiku, Kurtin

Related Articles