Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka folur për rikandidimin e Lutfi Hazirit për kryetar të Gjilanit, për të cilin tha se është udhëheqës shembullor dhe njeri shembullor i LDK-së.
Abdixhiku sot në Konventën e Degës së LDK-së në Gjilan ka zyrtarizuar kandidaturën e Lutfi Hazirit për kryetar të kësaj komune.
“Luta ka ditur dhe di t’i dalë Zot këtij vendi. Di t’u qëndrojë afër qytetarëve të këtij vendi; ka ditur të mbajë afër gjeneratat më të vjetra dhe të afrojë të rinjtë; t’i avancojë gratë në pozita të merituara e t’u japë shanse të barabarta vajzave të reja; Luta është udhëheqës shembullor; njeri shembullor i LDK-së. Të priftë e mbara mik. Zoti të bekoftë ty dhe qytetarët e kësaj ane; Zoti e bekoftë Kosovën”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku e vlerësoi Hazirin si njëri ndër bashkupunëtorët dhe miqtë e tij më të afërt në LDK.
“Gjatë rrugëtimit tim politik në LDK, kam gjetur shumë miq e bashkëpunëtorë. Njerëz të rrekur në politikë, që e dinë fort mirë se çka i duhet këtij vendi për të ecur përpara. Është e vërtetë që në disa raste s’na ka ecur rrugëtimi me sukses pavarësisht se jemi përpjekur shumë. Por, në rastin e Gjilanit, suksesi ka qenë në anën tonë; sepse aty ka udhëhequr një njeri si Lutfi Haziri, që jo rastësisht është edhe ndër bashkëpunëtorët e miqtë e mi më të afërt në LDK”, tha Abdixhiku.
Lutfi Haziri do t’i prijë garës zgjedhore për kryetar të komunës së Gjilanit për të tretën herë rresht.