Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas seancës së sotme u deklarua para mediave, duke ia hedhë fajin LVV-së për bllokadën e krijuar, raporton Gazeta Enigma.
Ai madje tha se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje “nuk sheh nguti për të bërë zgjidhje politike”.
Abdixhiku nuk pret se do të ndryshojë diçka deri më 26 korrik, datën deri kur Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar që të përfundojë seanca konstituive.
“Nuk shoh dhe nuk pres ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura”, tha ai.
“Ajo që pritet, është që pas afatit 30-ditor të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por ne një interpretim e kemi, siç e kemi edhe një mosrespektim të saj – që do të thotë, kemi përmbysje të rendit kushtetues. Kjo është gjendja fatkeqe e Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas tij “është e qartë se pas 30 ditëve, ky Kuvend, në qoftë se nuk konstituohet, ka huqur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet një interpretim i ri sepse nuk ka përcaktuar as gjykata se çfarë do të ndodhë”. / Gazeta Enigma.