Lumir Abdixhiku mori drejtimin e LDK-së sapo kjo parti pësoi një nga humbjet më të rënda në zgjedhjet parlamentare që u zhvilluan këtë vit. Në një intervistë për Opinion, Abdixhiku foli për “Ballkanin e Hapur”.
Kreu i LDK-së tha se “Ballkani i Hapur” është projekt politik dhe jo ekonomik. Thelbi i kësaj nisme, sipas Abdixhikut, është që Serbia të kapërcejë Kosovën.
Sipas kreut të LDK-së Kosova nuk e ka problem të bëhet pjesë e kësaj nisme nëse Serbia njeh kufijtë e Kosovës.
Ndër të tjera, Abdixhiku tha se sheh një pavarësim të Shqipërisë prej Kosovës.
“Të gjitha shtetet e Ballkanit janë shtete të vogla për rrjedhat ekonomike. Pa bashkim të të gjitha vendeve të Ballkanit asnjëri nuk do të mbijetojë në përmasat që ne ëndërrojmë”.
“Nuk mbijeton Luksemburgu, pa një bashkëpunim ekonomik me vendet e tjera. Unë besoj që Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm bashkëpunimi me shqiptarët në radhë të parë sepse ka gjuhë të njëjtë, kulturë të njëjtë, histori të njëjtë që do të thotë ka mundësi për treg më unik dhe duhet parë edhe më tutje, në një treg më të gjerë rajonal dhe përfundimtar në BE”, u shpreh Abdixhiku.
Idea e Open Ballkan e kontestuar nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia dhe së fundmi është aktive edhe Mali i Zi, u refuzua nga Kosova. Për këtë Abdixhiku thotë se Kosova pati të drejtë.
“Sepse nuk është projekt ekonomik, është projekt politik. Domethënë është projekt për të kapërcyer Serbia Kosovën”.
Dhe “nëse Serbia i njoh kufijtë e Kosovës nuk ka problem fare. Le ta themi kështu më thjeshtë”, vazhdoi më tej Abdixhiku.
“Kosova dhe çdo aktor politik në Kosovë nuk ka asnjë kundërshtim për Procesin e Berlinit që është pak a shumë i ngjashëm. I kuptoj motivet e Shqipërisë. Unë po shoh një pavarësim të Shqipërisë prej Kosovës më tepër. Sikur ka qenë një barrë Kosova në rrugëtimin e pavarur të Shqipërisë”.
Këtë lëvizje, Abdixhiku thotë se sheh nga sjelljet politike të Shqipërisë.
“Nga sjelljet që largohet nga mbartja e një politike që është problematike për Shqipërinë. Shqipëria nuk ka pse të mbajë barrën e problemeve Serbi-Kosovë për arsye ekonomike. Unë e shoh që Shqipëria dhe Kosova duhet të mbartin kostot e përbashkëta nacionale në vend”, ka përfunduar Abdixhiku.