Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e Bujar Bukoshit, ish-kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil, raporton Gazeta Enigma.
Sipas Abdixhikut, jeta dhe veprimtaria e Bukoshit janë mishërim i përkushtimit atdhetar dhe angazhimit të palëkundur politik për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
‘’Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më dashurit tuaj dhe ish-kryeministrit në ekzil, dr. Bujar Bukoshi. Jeta dhe veprimtaria e tij janë mishërim i përkushtimit atdhetar dhe angazhimit të palëkundur politik për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kontributi i tij në momentet më të vështira për vendin tonë është përjetësisht i çmuar. Dr. Bukoshi ishte ndër figurat themeluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, më pas duke shërbyer edhe si sekretar i përgjithshëm në atë kohë. Me vizion dhe guxim, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugëtimin tonë drejt lirisë’’, ka shkruar Abdixhiku.
“Figura e tij do të mbetet përherë pjesë e pandashme e historisë sonë shtetformuese dhe kujtimi për të do të jetojë ndër breza”. / Gazeta Enigma.