Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest,ka reaguar pasi Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit ka reduktuar ndjeshëm subvencionet për të dytin vit me radhë, raporton Gazeta Enigma.
Përkundër rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturën, fondet për DokuFest janë ulur me gati 30% krahasuar me vitin e kaluar, duke përfaqësuar më pak se 9% të buxhetit total të festivalit.
Organizatorët e quajnë këtë një vendim që minon rëndësinë kulturore dhe ekonomike të festivalit dhe një goditje ndaj gjithë asaj që është ndërtuar me përkushtim për gati një çerek shekulli.
Secilin vit në gusht, DokuFest ka promovuar Prizrenin duke e transformuar në një hapësirë kulturore ndërkombëtare, me shfaqje të filmave, performancave, punëtorive, ekspozitave dhe debateve.
Ky transformim simbolik shoqërohet me efekte të matshme ekonomike dhe sociale:
• Më shumë se 16,700 vizitorë morën pjesë në DokuFest 2024, prej tyre rreth 5,000 ndërkombëtarë.
• Sipas ATK-së dhe Institutit GAP, vizitorët shpenzuan afro 4.1 milionë euro gjatë festivalit.
• Qarkullimi i bizneseve të Prizrenit u rrit me 29% në muajin gusht krahasuar me korrikun.
• Për çdo 1 euro të investuar nga fondet publike, DokuFest ka kthyer 22.8 euro në ekonomi.
• Festivali gjeneron mbi 100 vende pune sezonale për të rinjtë dhe përfshin 120 vullnetarë që mësojnë aftësi të reja, të pazëvendësueshme dhe esenciale për Ekonominë Kreative në Kosovë.