Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot kafen e mëngjesit e ka pirë me një çift punojësish shëndetësorë.
Këtë e ka bërë të ditur Abdixhiku përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë që pagat e këtij çifti sot vlejnë 50 për qind më pak se para dy vjetësh.
Tutje Abdixhiku ka thënë që koeficienti i Qeverisë nuk mbulon as për së afërmi inflacionin.
“Kafen e mëngjesit këtë të premte e piva me familjen e mrekullueshme të Lulzim e Nesibe Thaqi. Si prindër të tre fëmijëve e në pritje të të katërtit, burim të vetëm të të hyrave kanë pagat që marrin nga sektori publik. Si punonjës shëndetësorë, punë të vetme kanë kujdesin për tjetrin. Janë adresa e parë e secilit me hall. Shteti, ndërsa, punë të vetme duhej ta kishte kujdesin për ta. Pagat e tyre sot vlejnë 50% më pak, se sa para dy viteve; derisa koeficienti i Qeverisë nuk mbulon as për së afërmi inflacionin rekord që ka goditur familje si kjo”.
“Realiteti i hidhur është se, historia e tyre nuk është e vetme. Kjo histori përballjeje ndahet nga familje të panumërta anembanë Kosovës. Propozimi ynë për koeficient 125 lehtëson përballueshmërinë e familjeve si kjo. Propozimi ynë për heqje të TVSH-së në produkte bazë – bukë, miell, vaj, sheqer, qumësht e vezë – do të bënte jetën e tyre shumë më të lehtë”, ka thënë tutje Abdixhiku.