Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 23-vjetorit të Betejës së Koshares, ka bërë homazhe në nderim të të rënëve të kësaj beteje.
Ai përmes një postimi në Facebook, tha se akti i trimërisë së UÇK-së, ishte frymëzim për rrugëtimin e vendit drejt lirisë. Sipas tij, triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.
“Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, 23 vite më parë, burrat e gratë e Ushtrisë Çlirimtare, kishin nisur thyerjen e kufirit shqiptar, dhe me këtë i kishin dhënë historisë një ndër betejat më të lavdishme shqiptare. Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”.
Ai tha se do të kujtohen e nderohen të gjithë dëshmoret e kësaj beteje, duke përmendur kështu edhe të huajt që dhanë jetën.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë të rënët e Betejës së Koshares, nderojmë burrat si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi e secilin hero e dëshmorë të kësaj beteje të madhe. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në altarin tonë të lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider”, shkroi ai.
“Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”.