Adam Peaty thotë se atletët kanë gjetur krimba në ushqime, në fshatin Olimpik

Adam Peaty thotë se atletët kanë gjetur krimba në ushqime, në fshatin Olimpik

Notuesi Adam Peaty ka thënë se atletët në fshatin Olimpik në Paris kanë gjetur krimba në ushqimin e tyre, teksa ai gjithashtu kritikoi ushqimin e pamjaftueshëm atje.

Gjashtë herë fituesi i medaljes olimpike u ankua si për sasinë ashtu edhe për cilësinë e ushqimit të ofruar. Ai tha se kjo ndikon edhe në performancën e atletëve.

“Kateringu nuk është mjaftueshëm i mirë për nivelin që pritet të performojnë atletët. Ne duhet të japim më të mirën që mundemi. Në Tokio ushqimi ishte i jashtëzakonshëm. Rio ishte e pabesueshme. Por këtë herë? Nuk kishte opsione të mjaftueshme proteinash, radhë të gjata, pritje 30 minuta për ushqim, sepse nuk ka sistem të radhës”, tha Peaty.

Si pjesë e premtimeve për qëndrueshmërinë e Lojërave, organizatorët kanë synuar të bëjnë 60% të të gjitha vakteve të shërbyera pa mish dhe një të tretën me bazë bimore, por Peaty tha se kjo nuk funksionoi për të.

“Unë dua mish, më duhet mish për të performuar dhe këtë ha në shtëpi, kështu që pse duhet të ndryshoj?”, pyeti ai.

“Më pëlqen peshku dhe njerëzit po gjejnë krimba në peshq. Thjesht nuk është mjaftueshëm e mirë”.

Një zëdhënës i Paris 2024 tha: “Ne po dëgjojmë atletët dhe i marrim shumë seriozisht komentet e tyre. Që nga hapja e fshatit, partneri ynë Sodexo Live! ka punuar në mënyrë proaktive për të përshtatur furnizimet me përdorimin në rritje të restoranteve të fshatit Olimpik, si dhe me konsumin aktual nga atletët e vëzhguar gjatë ditëve të para. Si rezultat, sasitë e produkteve të caktuara janë rritur ndjeshëm dhe stafi shtesë është vendosur për të siguruar që shërbimi të funksionojë pa probleme”. /Gazeta Enigma

Related Articles