Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka shkruar për vizitën e të parit të FIFA-s, Gianni Infantino, që e bëri sot në Kosovë, duke thënë se kjo vizitë nuk ishte thjeshtë protokollare, por plot emocion e simbolikë, “sepse Kosova dhe futbolli ynë janë thellësisht të lidhur me udhëheqjen e tij”.
“Në Kongresin e parë të tij si President i FIFA-s, më 13 maj 2016, Kosova u pranua në familjen botërore të futbollit, andaj sot kur e mirëpritëm sërish në tokën dardane, kishim ndjenjën e krenarisë për atë çfarë kemi arritur, por edhe shprehëm mirënjohje për mbështetjen e jashtëzakonshme të FIFA-s në ngritjen e futbollit tonë”, shkroi Ademi në një postim.
“Presidenti Infantino e quajti Kosovën si shtëpinë e tij dhe na inkurajoi të investojmë në rininë dhe sportin tonë”, tregoi i pari i FFK-së.
“Jemi të lumtur që Kosova dhe futbolli i saj ka fituar miq të tillë si Infantino”.
“Mirupafshim President! Kosova do të jetë gjithmonë shtëpia juaj!”, përfundoi Ademi. /Gazeta Enigma