Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” do t’i shtohen edhe 4 porta

Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” do t’i shtohen edhe 4 porta

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, ka bërë të ditur se është miratuar shtimi i 4 portave të reja në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, raporton Gazeta Enigma.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se: “Në mbledhjen e fundit të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat të mbajtur me 29 maj, 2023 është miratuar kërkesa e koncesionarit LKIA për shtimin edhe të 4 portave të reja të imbarkimit (boarding gates), duke e rritur kështu numrin e portave nga 8 në 12 gjithsej”.

Ministria, tutje ka bëre të ditur se janë ndarë 3 milionë euro për këtë plan dhe se terminali do të zgjerohet në anën jugore dhe atë veriore të portave ekzistuese.

“Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe në anën veriore të portave ekzistuese të imbarkimit, ndërsa buxheti i paraparë për këtë plan në total është rreth 3 milionë euro. Meqenëse Plani i Zgjerimit bie nën kompetencat e Partnerit Privat, zgjerimi i terminalit do të bëhet pa asnjë shpenzim shtesë për Dhënësin apo Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ky zgjerim, sipas Ministrisë, synon që të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve.

“Ky zgjerim synon që të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve, por edhe rritjen e komoditetit për pasagjerët që të kenë sa më të lehtë kalimin nëpër kontrollet e aeroportit”, njofton Ministria.

Sipas Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, të Ardhurat Bruto nga Aeroporti Ndërkombëtar për vitin 2022 ishin 60,177,176€ apo 36.91% më të larta sesa viti paraprak, ndërkaq numri i udhëtarëve u rrit nga 2,198,414 në 3,012,108 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 37%. /Gazeta Enigma

Related Articles