Afishet nxirren nga depot e MPB-së, ishin shtypur që nga viti 2017

Afishet nxirren nga depot e MPB-së, ishin shtypur që nga viti 2017

Për shtensionimin e situatës së krijuar në veri, Kosova dhe Serbia kanë diskutuar në Bruksel. Pas dy ditë diskutimesh, dy shtetet kanë arritur marrëveshje qe zbutë situatën e tensionuar, derisa Kosova dhe Serbia janë pajtuar në tri pika.



Njëra nga to ka të bëjë se 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi stikerave/afisheve në vetura, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Afishet të njohura me emrin stickera janë prodhuar katër vite më parë dhe ato po mbahen në depot e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Letrat ngjitëse për targa të automjeteve që do ti mbulojnë pjesët relevante të targave, janë shtypur në vitin 2017. Numri i letrave ngjitëse që janë prodhuar në vitin 2017 është 300.000 copë”, bëri të ditur zyra për komunikim me publikun e MPB-së për lajmi.net.

Pas dy ditë diskutimesh në Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Lajmin e bëri të ditur vetë i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në profilin e tij në Twitter, Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se palët janë pajtuar për tri pika kryesore.

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.
Lidhur më këtë marrëveshje ka pasur reagime të shumta pro edhe kundër saj.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se dje në Bruksel nuk është mbrojtur sovraniteti shtetëror i Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes për targat.

Ajo ka theksuar se në vend së të arrihet një njohje reciproke për njohjen e targave të të dyja shteteve, marrëveshja e djeshme për targat e ka kthyer procesin e dialogut në diçka që kishte ndodhur para pesë vjetësh.

“Në Bruksel nuk u mbrojt sovraniteti shtetëror i Kosovës. Qeveria Kurti me marrëveshjen për targat, ia mundësoi që Serbia të vendos se kur shkon apo nuk shkon Njësia speciale e Kosovës në veri të shtetit tonë. Derisa me fjalë kjo Qeveri ka premtuar se do të mbrojë shtetin dhe Kushtetutën në dialogun e Brukselit, ajo shkeli Kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës. Po ashtu, në vend se të arrihet njohje reciproke e targave, si rrugë që qon drejt njohjes reciproke mes dy shteteve, ajo e ktheu mbrapa procesin ne diçka qe kishte ndodhur 5 vjet me pare, si nje reciprocitet që kishte kuptim në atë kohë, por jo tani kur bisedimet në Bruksel kanë hyrë në fazën e njohjes reciproke”, ka thënë Tahiri.

Megjithëkëtë, menjëherë pas marrëveshjes, i menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti , i cili tha se “me marrëveshjen e arritur me Serbinë të enjtën në Bruksel, “Serbia do të nisë të mësohet me reciprocitet”.

Ai tha se me heqjen e barrikadave nuk do të ketë më nevojë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.

Faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të përshëndetën arritjen e marrëveshjes për targat dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shkroi se “pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve”.
“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Josep Borrell.

Fitore të Serbisë, arritjen e marrëveshjes po e sheh, presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili vlerësoi se marrëveshja e arritur në Bruksel për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë, ishte “absolutisht më e mira që mund të arrihej” dhe se ishte një rezultat i mirë për Serbinë, transmetojnë mediat në Serbi.

Këto komente, sipas mediave në Serbi, Vuçiq i bëri në konferencën për medi mbajtur në qytetin e Nishit tek ka thënë Serbia kishte reaguar me përgjegjësi dhe zgjuarsi në këtë rast, duke treguar gjithmonë kujdes për qytetarët serb të Kosovës.

Duke folur për mangësitë e marrëveshjes, Vuçiq tha se njëra prej tyre është se një zgjidhje ndoshta më e vështirë do të duhet akoma të arrihet në periudhën e ardhshme, si dhe fakti që në praktikë targat e lëshuara nga autoritetet serbe mund të përdoren vetëm ne veri të Kosovës.

Ai ka thënë po ashtu se takimet në Bruksel, pritet të vazhdojnë, duke nënvizuar se tema e radhës atje, do të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.“Tema tjetër në dialog do të jetë Asociacioni i Komunave Serbe”, tha Vuçiq.

Kosova kishte paralajmëruar e vendosjen e masës së reciprocitetit për targat, gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi që udhëheq delegacionin e Kosovës në Bruksel, kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm.

Çështja e targave të veturave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, të arritur në korrik të vitit 2011, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Related Articles