AGK-ja reagon për tentativën e zjarrvënies në garazhin e redaktorit të transmetuesit publik

AGK-ja reagon për tentativën e zjarrvënies në garazhin e redaktorit të transmetuesit publik

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas lajmit për tentativën e zjarrvënies në garazhin e redaktorit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi, raporton Gazeta Enigma.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien e garazhit të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi. Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit. ‘Dikush ia vuni flakën; me m’frikësu. S’ia arrijnë qëllimit!’, ka shkruar ai”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në reagim thuhet se çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

“Për AGK-në kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Për këtë rast ka njoftuar edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh. Sipas Policisë rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 18:25 në Fushë-Kosovë. “Raportohet se në rrethana të panjohura në zjarr janë përfshirë dyert e garazhdës së viktimës mashkull kosovar. Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Related Articles